Viti i ri shkollor në Gjirokastër, prefekti Aliaj uron nxënësit

TIRANË, 17 shtator/ATSH/- Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2018-2019 mori pjesë në ceremoninë e ditës së parë të çeljes së procesit mësimor në shkollën e mesme të përgjithshme “11 Shkurti” Libohovë dhe në disa shkolla të tjera të qarkut.

Në urimin e tij, prefekti Aliaj iu drejtua fëmijëve që nisin për herë të parë jetën shkollore, sikurse mësuesve të klasave të para, që do të përkujdesen për këta filiza të rinj, me të gjithë përgjegjësinë e mësuesit dhe prindit, për të siguruar që këta fëmijë të bëhen e ardhmja e denjë për këtë vend.

Gjithashtu, Aliaj uroi të gjithë prindërit, të cilët do të duhet të jenë mbështetja kryesore që fëmijët të ndjehen të qetë, të sigurtë dhe plot besim në rrugën e gjatë të dijes.

Një urim të veçantë, prefekti i qarkut ka përcjellë edhe të gjithë nxënësve të sistemit parauniveristar dhe mësuesve të qarkut Gjirokastër, që përmes punës së tyre plot përkushtim dhe përgjegjshmëri, luajnë rolin jetik për zhvillimin e një shoqërie, duke mundësuar realizimin e objektivave reformuese, frytet e të cilave po ndihen dhe do të ndihen së shpejti në të gjitha nivelet e arsimit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.