Plazh në brigjet e Kirit edhe në këto ditë të ngrohta shtatori

TIRANË, 17 Shtator / ATSH / – Lugina e Kirit në Shkodër është një ndër zonat më të bukura në veri të vendit, e cila është vetëm pak kilometra larg qendrës së Shkodrës. Kjo zonë është “zbuluar” jo më shumë se 4 vite nga vetë shkodranët të cilet po e frekuentojnë masivisht për fundjavë.

Ujë i kristaltë, vaskat, kanioni, pastërti, qetësi dhe ajër i freskët i maleve përreth është ajo që të ofron Lugina e Kirit. Çdo fundjavë kur moti është i ngrohtë, qytetarët shkodranë, turistë të huaj dhe banorë të fshatrave rreth rrjedhës së lumit, frekuentojnë këto brigje për banjo dielli, larje në ujërat e freskët,por dhe për sportet ujore.

Kiri është një fshat në  rrethin e Shkodrës. Në lashtësi ka pasur një kala që sot ka vetëm disa rrënoja dhe asgjë më tepër, por edhe sot ky vend emërtohet “Qyteza e Kirit” ose “Kalaja e Kaurrit”. Emrin e këtij fshati e mban edhe lumi i cili buron nga shpatet e Bigës, Ndërkjores e Qafës së Bëshkasit dhe derdhet në Drin pranë Kalasë së Shkodrës.

Me sa duket lumi ka marrë emrin e fshatit dhe jo fshati emrin e lumit, sepse në kohët e hershme ky lumë kishte emrin Clusala. Mbi këtë lum qëndron Ura e Mesit e ndërtuar gjatë sundimit osman. Sot,kanionet e këtij lumi në rrjedhën shkëmbore të tij,janë kthyer në një atraksion për turistët e natyrës,të plazheve lumore,të sporteve të ujit që vazhdojnë edhe në këto ditë të ngrohta shtatori. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.