Ahmetaj në shkollën profesionale të Kamzës: Keni një të ardhme të sigurt në tregun e punës

325

TIRANË, 16 Shtator/ATSH-A.Fortuzi/ – Në ditën e parë të vitit shkollor, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ishte në shkollën profesionale të rikonstruktuar të Kamzës, një investim në vlerën 213 milionë lekë nga buxheti i shtetit, në të cilën mësojnë mbi 1800 nxënës në disa drejtime si IT, shërbim social, hoteleri-turizëm, bujqësi etj.

Shkolla Profesionale e Kamzës është qendra e parë multifunksionale në Shqipëri që aplikon sistemin dual dhe kombinon teorinë me praktikën.

Me mbështetjen e qeverisë gjermane, është krijuar Akademia “CISCO” për nxënësit e IT, diplomat e të cilëve njihen edhe jashtë vendit.

Në fjalën e tij, ministri Ahmetaj tha se shifrat e arsimit profesional kanë ardhur në rritje në vitet e fundit dhe i njëjti trend vërehet nga sistemi i gjurmimit edhe pas përfundimit të shkollës.

“Dita juaj e parë e shkollës është fantastike, sepse mbi të gjitha për çdonjërin prej jush ka një të ardhme aty jashtë në tregun e punës. Jo më kot kemi katër vite që e theksojmë që të kesh një kualifikim, të kesh arsim profesional, është një pasuri shumë e madhe në mendje dhe në zemër, për të justifikuar të gjithë atë kontribut që familjet japin për ju si nxënës, në mënyrë që nesër të mos endeni në tregun e punës me një ëndërr të financuar false, por të keni një profesion shumë të kërkuar për tregun e punës.

Para katër vitesh, 1/3 e nxënësve të kësaj shkolle kishte punë kur dilte nga shkolla, sot 2/3. Por imagjinoni që këtu ka 1800 nxënës sot. Dikur, sikur t’i numëronim për një ditë të gjithë mundësitë e punësimit, 600 veta mund të punësoheshin. I bie që sot punësohen 1200 veta”, – theksoi Ahmetaj.

Ahmetaj tha se formimi profesional është një zgjedhje e duhur, që ofron garanci për punësimin.

“Sot janë 76 mijë të papunë të regjistruar, ndërkohë në anën tjetër janë 46 mijë vende pune të lira, që i ka sjellë vetë në Shërbimin Kombëtar të Punës, të deklaruara, sektori privat. Teorikisht do të dukej sikur 46 mijë nga këta 76 mijë, sot mund të punësoheshin, por kjo nuk është e vërtetë. Po, pse nuk është e vërtetë? Sepse këta 76 mijë nuk kanë kualifikimin e duhur për të filluar punë nesër në ato 46 mijë vende pune që janë hapur. Ju do ta keni, sepse keni zgjedhur arsimin e duhur”, – tha Ministri.

Shkolla profesionale e Kamzës, ka marrë vëmendje të konsiderueshme nga qeveria, por edhe donatorët, në favor të përmirësimit të infrastrukturës dhe rezultateve.

“Qeveria gjermane ka dy projekte të mëdha, afërsisht 27 milionë euro në 10 vite për të investuar në fushën e arsimit profesional”, – tha Ministri.

Nga ana e saj Ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schutz tha se mbështetja e qeverisë gjermane për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit e formimit profesional në Shqipëri, do të vazhdojë.

“Gjermania ka një eksperiencë shumë të gjatë dhe pozitive me arsimin e formimin profesional. Vetëm vitin e shkuar, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillimin Ekonomik, OECD vlerësoi arsimin dhe formimin profesional në Gjermani si një përgatitje të shkëlqyer për jetën profesionale.

Dëshiroj të theksoj se Gjermania e mirëpret synimin e qeverisë shqiptare për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, ndërmjetësimin e praktikave pranë kompanive private dhe orientimin e kurrikulave drejt standardeve ndërkombëtare. Jini të sigurt, që ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim”, tha Schutz.

Në vitin shkollor 2018-2019, janë 19,220 nxënës që do të ndjekin arsimin profesional, nga të cilët mbi 4700 të regjistruar në vitin e parë, shifër e cila pritet të rritet deri në përfundimin e regjistrimeve në 1 tetor.

Sipas shifrave të INSTAT, pjesëmarrja në arsimin e mesëm profesional paraqitet me rritje në vitet e fundit. Në vitin shkollor 2017-2018 morën pjesë në arsimin profesional 20.6 % e nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej.

Nga viti 2013 janë investuar mbi 1.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e ndërtimin e shkollave dhe laboratorëve, ndërsa po kaq planifikohet të investohen edhe përgjatë tre viteve të ardhshme. Vetëm në vitin 2017-2018 u rikonstruktuan 9 shkolla, në favor të mbi 7500 nxënësve në të gjithë vendin. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.