Viti i ri shkollor, 1.58 miliard lekë për arsimin profesional

176

TIRANË,16 shtator /ATSH- I. Vata/ Për shkollat e arsimit profesional nga viti 2013-2018 janë investuar 1.58 miliardë lekë, deri në 2021, do të investohen 3 miliardë lekë, shprehet ministria e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke iu uruar suksese 19,220 të rinjve që nisin vitin e ri shkollor.

Ministri Ahmetaj shprehet se arsimi dhe formimi profesional është investim për të ardhmen dhe garancinë e punësimit.

“Nga viti 2013, deri më tani janë investuar nga buxheti i shtetit 1.58 miliardë lekë për rikonstruksionin e shkollave dhe pajisje laboratorike. Deri në vitin 2021, investimet në infrastrukturën e Arsimit Profesional, do të arrijnë mbi 3 miliardë lekë, vetëm nga buxheti i shtetit”, shprehet ai.

2017-2018,  9 shkolla të reja me standarde europiane dhe laboratorë modernë

Sipas statistikave zyrtare në shkollën e Ndërtimit “Karl Gega” në Tiranë janë investuar 106 milionë lekë dhe përfitojnë 1152 nxënës. 2017-2018 shënon rikonstruksionin e shkollës Profesionale “Ali Myftiu”, Elbasan  ku janë investuar 98 milionë lekë e ku përfitojnë 920 nxënës. Në shkollën “Petro Sota”, Fier janë investuar 94 milionë lekë e përfitojnë 830 nxënës.

Po ashtu është kryer rikonstruksioni i shkollës “Kristo Isak” në Berat, vlera e investimit 73 milionë lekë përfitojnë 240 nxënës. Nga ndërtimi i shkollës së mesme Profesionale “Beqir Çela” në Durrës me vlerë investimi 231 milionë lekë, përfitojnë 1600 nxënës.

Shkolla e Mesme Profesionale “Arben Broci”, Shkodër ka marrë investim me vlerë 308 milionë lekë, përfitojnë 700 nxënës. Nga rikonstruksioni i shkollës së Mesme Profesionale, Kamëz me vlerë investimi 213 milionë lekë, përfitojnë 1800 nxënës.

“Nesër viti i ri mësimor fillon edhe për 19,220 të rinj të shkollave të arsimit profesional. Vëmendja jonë nuk ka munguar në përmirësimin e infrastrukturës në vitet e fundit, me ndërtimin e rikonstruksionit të godinave, por edhe me zhvillimin e bazës prodhuese për laboratorët. 1.5 miliardë lekë të investuara në pesë vite nga buxheti i shtetit, e po kaq do të investohen në 3 vitet që vijnë!”, shprehet ministri Ahmetaj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.