Përkujtohet 76-vjetori i Konferencës së Pezës

81

TIRANË,16 shtator /ATSH- I. Vata/ Tirana përkujtoi sot 76-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të mëdha e më të rëndësishme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve.

Veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë të rinjve e të rejave që iu bashkuan kauzës së luftës për çlirimin e vendit.

Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi rëndësinë e kujtimit të kësaj ngjarje dhe të mesazheve që ajo përcjell edhe tek brezat e tjerë.

“Ne besojmë shumë fort se një nga gjërat që duhet t’ia kalojmë gjeneratës së re është kujtesa, se jemi një komb që nuk kemi ardhur nga hiçi. Ky vend ka histori, ka memorie, ka patur organizime, idealistë, progresistë, luftëtarë. Ky vend i ka lënë mënjanë bindjet politike, kur ka ardhur puna për të shpëtuar Shqipërinë.”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Konferenca e Pezës është një mësim i madh për të gjithë shqiptarët për të mos penguar njëri-tjetrin, por për të punuar së bashku për progresin.

“Konferenca e Pezës është ajo e bashkimit,  për të marrë vendime të rëndësishme. Familja jonë është Shqipëria, besa jonë është Shqipëria, feja jonë është Shqipëria. E nëse punojmë me këtë frymë nesër, pasnesër, duke i mbajtur partitë, por duke vënë mbi të gjitha Shqipërinë, vendin, qytetin, atëherë do të ecim përpara. Vitin tjetër ne presim të fillojmë negociatat për anëtarësimin në BE, nëse shkojmë të përçarë dhe duke i ngulur thikën pas shpine njëri-tjetrit, do të thotë se 76 vite s’paskemi mësuar asgjë. Historia e Pezës thotë: Kur jemi bashkë bëjmë mrekulli, kur copëtohemi, kur pengojmë, kur përçajmë, humbasim”, theksoi ai.

Ndërsa, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko deklaroi se Konferenca e Pezës është një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit tonë.

“Kujtojmë ato ditë të veçanta 76 vjet më parë kur ekzistonin dy Shqipëri, njëra nën okupim dhe njëra këtu në Pezë, ku nisi shkëndija. Duhet t’i themi disa gjërat ashtu siç janë për historinë: Ata që thonë jo veriu, jo jugu, ta dinë se edhe në Shqipërinë e mesme ka pasur burra trima që i kanë dalë zot vatanit. Kjo është arsyeja pse mblidhemi sot të gjithë këtu, për të kujtuar dhe për t’i dhënë vendin që duhet asaj që është shkruajtur nga historia dhe nga aktet që i bëjnë nder këtij populli dhe këtij kombi”, deklaroi Majko.

Po ashtu, deputetja Blerina Gjylameti tha se mesazhet e Konferencës së Pezës 76-vjet më parë janë ende aktuale.

“Kryesorja është mesazhi i bashkimit, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë, ku të rinjtë dhe të rejat të vazhdojnë jetën e tyre. Mendoj se të gjitha vlerat tona duhet t’i përcjellim tek të rinjtë, që t’i bëjmë qytetarë më të denjë, që ta duan vendin tonë, pavarësisht sfidave. Bashkimi është mesazhi jonë, ndaj të vazhdojmë më tutje për ta ndërtuar vendin, një Shqipëri siç e duam ne”, deklaroi Gjylameti.

Përgjatë dy ditëve, Peza u kthye në një qendër argëtimi dhe çlodhjeje. Për të katërtin vit radhazi, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh në nderim të kësaj dite që, jo vetëm evokojnë atë ngjarje të rëndësishme për historinë e luftës antifashiste, por edhe që krijuan momente të paharrueshme për të gjitha grupmoshat.

Festa filloi pasditen e së shtunës me një koncert ku performuan disa prej këngëtarëve dhe DJ më të talentuar si: Jonisa Lako, Henri nad the Band, Semi Jaupaj, DJ Set, Indripendent FX etj. Më pas u vijua me aktivitete të tjera si: Nata e gjelbër, Kinema nën yje, piknik, histori rreth zjarrit dhe lojëra sportive. Ndërsa këtë të dielë Banda e Qytetit, Ansambli Tirana, Cirku Kombëtar, Teatri i Kukullave ofruan për qytetarët e shumtë që ishin në Pezë muzikë dhe shfaqje të ndryshme. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.