Meta për “Il Messaggero”: BE të shohë progresin e Shqipërisë për hapjen e negociatave

TIRANË,16 shtator /ATSH- I. Vata/ “Shpresojmë që bisedimet të hapen dhe Shqipëria të ketë anëtarësim të shpejtë. Dëshiroj që BE të shohë në optikën e duhur progresin e bërë nga Shqipëria, jo vetëm për integrimin europian, por edhe për të focuar ekonominë dhe shtetin e së drejtës”. Kështu, thotë presidenti Meta në një intervistë të dhënë për gazetën italiane “Il Messaggero”, ndërkohë që ndodhet për vizitë zyrtare në Itali.

Intervista nis me një pyetje në lidhje me pranimin nga Shqipëria të 20 emigrantëve të anijes Dicioti. “A do të ishit të gatshëm të merrnit emigrantë të tjerë që zbarkojnë nē Itali?”.

“Ne shqiptarët në rast se do të duhej, do të ishim të gatshëm për sakrifica të tjera në ndihmē të Italisë apo Greqisë, natyrisht brenda mundësive tona dhe duke patur parasysh dhe sigurinë e kufinjve tanë. Megjithatë mendojmë se një ose pak vende nuk mund të zëvendësojnë rolin e BE ne administrimin e krizës së refugjatëve. Me gjestin tonë të marrjes së 20 emigrantëve kemi dashur që të ketë edhe një reflektim europian sesi të zgjidhet ky problem i rëndësishëm”, shprehet Meta.

Vërejtjes së gazetarit se “Brukseli u tregua i ftohtë ndaj ndërhyrjes tuaj në ndihmë të Italisë”, Meta i përgjigjet.

“Nuk dua të bëj polemika apo interpretime të cilat nuk shërbejnë. Unë di që në fund të gjithë kanë kuptuar gjestin tonë si një veprim solidariteti dhe vullneti të mirë. Megjithatë mendoj se Italia nuk duhet lënë e vetme përballë fenomenit. Ne i detyrohemi Italisë për ndihmën dhe solidaritetin e dhënë ndaj shqiptarëve në vitet ’90. Mendoj se të gjithë i detyrohen Italisë, duke kuptuar vështirësitë dhe sakrificat e bëra përballë fenomenit të imigracionit me një mikpritje të rrallë”, tha ai. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.