ITALI – Populistët i shpallin luftë shtypit të shkruar

ROMË, 16 shtator /ATSH-AFP/ – Luigi Di Maio, një nga dy peshat e rënda të qeverisë populiste italiane i ka shpallur luftë shtypit të shkruar, me akuzën se po ”ndotin debatin” duke i kërcënuar me heqjen e reklamës së kompanive publike.

”Gazetat po ndotin thuajse çdo ditë debatin publik dhe më e keqja është se e bëjnë këtë në sajë të parave të qytetarëve’’, shkruante në një postim në Facebook lideri i Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem).

Në buxhetin e ardhshëm të Italisë parashikojmë një ulje të kontributeve publike indirekte (për median) dhe jemi duke përgatitur një letër drejtuar kompanive që shteti zotëron aksione për t’i kërkuar që të mos paguajnë për gazetat, me blerjen e hapësirës së reklamave.

Ashtu si dhe themeluesi i saj, Beppe Grillo,  L5Y është e bindur se mediat klasike aspirojnë dështimin e koalicionit qeverisës me Ligën e Matteo Salvinit (ekstremi i djathtë).

Di Maio dhe ministrat e L5Y, ashtu si dhe kreu i qeverisë Giuseppe Conte, por edhe disa ministra të Ligës, komunikojnë kryesisht nëpërmjet Facebook dhe Twitter duke kritikuar vazhdimisht shtypin tradicionel dhe përmbajtjet e tij, në emër të mbrojtjes së ”popullit” ndaj ”establishment”./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.