Tatimet në Fier, 43,238 kontakte me tatimpaguesit në 8 muaj

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Vetëm për periudhën janar – gusht 2018, Drejtoria Rajonale Tatimore në Fier ka realizuar përmes të gjitha rrugëve të komunikimit direkte dhe elektronike 43,238 kontakte me tatimpaguesit dhe individë.

Për Administratën Tatimore, një nga prioritetet e punës së saj është informimi dhe edukimi i tatimpaguesve me korrektësi.

Në funksion të kësaj qasje, në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore janë ngritur dhe funksionojnë zyrat e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, Këndi i Asistencës i dedikuar ndaj biznesit të vogël, platforma e Bashkëqeverisjes.

Një nga drejtoritë, ku Shërbimi i Tatimpaguesve ka pasur një performancë pozitive është padyshim edhe ajo e Fierit.

Përmes platformave online të komunikimit është bërë e mundur marrja e shpejtë e informacionit për të gjitha çështjet e ngritura, duke reduktuar në këtë mënyrë kontaktet e drejtpërdrejta me administratën tatimore.

Gjithashtu, në kuadër të fushatës së informimit për përfshirjen në skemën e TVSH-së të biznesit të vogël, referuar të dhënave të DRT Fier, vetëm në Këndin e Asistencës u informuan mbi procedurat 915 tatimpagues, ndërsa u asistuan në terren 940 tatimpagues të vegjël.

Aktualisht, një tjetër fushatë informimi dhe edukimi po zbatohet nga DPT, në të gjitha DRT-të. Janë 11 kategori të biznesit (persona juridikë, persona fizikë, ambulantë, individë dhe fermerë) që po njihen me te drejtat dhe detyrimet tatimore përmes broshurave dhe videove, kjo në kuadër të Platformës së Informimit, një projekt që po zbatohet me mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ato përmbajnë informacion të detajuar për të gjithë hapat e ciklit të jetës së një biznesi, nga regjistrimi, deklarimi, pagesat e detyrimeve, si dhe të drejtat e detyrimet e tjera lidhur me administratën tatimore.

Specialistët e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve, në çdo kohë, do të mund të japin informacionin e duhur në lidhje me çdo nevojë që do të kenë tatimpaguesit./m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.