Në korrik 345,910 pasagjerë udhëtuan përmes Rinasit

129

TIRANË, 15 Shtator/ATSH/- Një tjetër lajm pozitiv vjen nga fusha e aviacionit, ku në muajin korrik është regjistruar rritje e pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në analizën statistikore për muajin korrik 2018, Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar bën të ditur se “janë 345,910 pasagjerë, të cilët kanë udhëtuar gjatë kësaj periudhe nga të cilët 79,311 pasagjerë kanë udhëtuar me linja Charter”.

“Në tërësi, rritja e trafikut të pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” përgjatë muajit korrik 2018 ka qenë 18% krahasuar me korrikun e vitit 2017”, bën të ditur Autoriteti i Aviacionit Civil.

Nisur nga të dhënat mbi operatorët ajrorë, përsa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin korrik 2016-2017-2018, Autoriteti i Aviacionit Civil vë re se numri i pasagjerëve që kanë fluturuar me kompaninë “WizzAir” në muajin Korrik 2018 ka shënuar një rritje prej 219.60% e krahasuar me Korrikun e 2017, ndërsa kompania ajrore “Transavia” ka humbur në treg, duke shënuar një rënie në numrin e pasagjerëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë me të në muajin Korrik 2018 me rreth -52% krahasuar me korrikun e 2017.

Referuar të dhënave të paraqitura në grafikun e muajit korrik bëhet e ditur se një humbje të tregut vit pas viti përgjatë muajit korrik ka shënuar edhe kompania “Alitalia”, e cila korrikun e 2018 ka humbur rreth -11% të tregut të saj dhe korrikun e 2017 krahasimisht me atë të 2016 rreth -13%.

“Gjithashtu vlen të theksohet se kompania “Blu Panorama” ka pësuar një rënie prej -9% krahasimisht me korrikun e 2017, ndryshe kjo nga rritja prej 11% e vitit 2017 me vitin 2016”, thuhet në buletinin e Autoritetit të Aviacionit Civil shqiptar./ks/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.