Ambasadori Lu: Demokracia bashkon amerikanë e shqiptarë

TIRANE, 15 shtator/ATSH/- Në ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu deklaron se “demokracia është diçka që na bashkon të gjithë ne, amerikanë dhe shqiptarë”.

Në një postim në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane në “Facebook”, Lu shprehet se demokracia arrihet me sakrifica.

Ai shton se është një rrugë e mbushur me përplasje e polemika, por ambasadori thekson se ja vlen ta arrish demokracinë, pasi na garanton liritë tona themelore.

“Sot është Dita Ndërkombëtare E Demokracisë. Çfarë do të thotë demokraci për ju? Demokracia është diçka që na bashkon të gjithë ne, amerikanë dhe shqiptarë. Është e rrëmujshme. Është e komplikuar. Dhe shpesh është e mbushur me konflikte dhe polemika por, në fund, demokracia na garanton liritë që i konsiderojmë kaq të vyera”, shkruhet në faqen e ambasadës së SHBA./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.