”Air Albania” tërheq vëmendjen e medias së huaj

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ – Fluturimi i parë i ”Air Albania” ka tërhequr vëmendjen e medias së huaj.

”Kompania e parë kombëtare e fluturimeve e Republikës së Shqipërisë, ‘Air Albania’, ka realizuar fluturimin e parë simbolik me studentë shqiptarë të ekselencës”, shkruan agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency.

”Avioni me 80 nxënës dhe studentë u nis në fluturim drejt Stambollit nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë”, vazhdon ajo.

”Air Albania’ është krijuar në partneritet me ‘Turkish Airlines’. Bordi drejtues i ‘Turkish Airlines’ (THY) njoftoi se ka vendosur të themelojë një kompani sipërmarrjeje të përbashkët me bazë në Shqipëri për të operuar në fushat e transportit të pasagjerëve dhe mallrave”, përfundon agjencia zyrtare turke e lajmeve AA.

Ndërkohë, seenews.com shkruan se ”Air Albania’ do të zhvillojë disa fluturime teste përpara se të fillojë shërbimin e rregullt”.

”Kryeministri shqiptar, Edi Rama thotë se kjo kompani do të ofrojë fluturime edhe në drejtim të Shkupit, Prishtinës, Podgoricës, Sarajevës dhe Zagrebit si edhe drejt Europës Perëndimore”, përfundon seenews.com.

”Air Albania, që bëri të premten testin e parë të fluturimit nga Stambolli, dërgoi sot po në Stamboll 80 studentë ekselentë shqiptarë”, shkruan en.brinkwire.com.

”Duke folur në ceremoninë e inaugurimit, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se ky është një udhëtim simbolik dhe se fluturime të tjera do të ketë muajt e ardhshëm”, përfundon en.brinkwire.com.

”Air Albania’ u krijua në nëntor 2017 si një joint venture me ‘Turkish Airlines’, që zotëron 49% të aksioneve. ‘MDN Investment’  dhe ‘Albcontrol’ kanë 51%. ‘Turkish Airlines’, po kërkon të zgjerohet jo vetëm me destinacione të reja, por edhe me partnershipe të reja”, shkruan intellinews.com./ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.