Veliaj ndan detyrat me administratorët e njësive për aksionin e nesërm të pastrimit

72

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ – Ndërsa bashkia e Tiranës do të nisë nesër aksionin e madh të pastrimit të kryeqytetit në prag të fillimit të  një viti shkollor sa më të pastër në çdo lagje e rrugë të Tiranës, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me administratorët e njësive në sallën e këshillit bashkiak.

Veliaj ndau porositë e fundit para nisjes së aksionit të pastrimit që do të nisë nesër në orën 09:00, ai tha se edhe nxënësit e shkollave nëse rrethohen nga një ambient i pastër, do të ta mbajnë pastër këtë të fundit.

Ndërkaq, për ditën e parë të shkollës por jo vetëm, kryetari i bashkisë bëri apel që nëse distancat me shkollat janë të vogla, prindërit të lëvizin më së shumti në këmbë për të shmangur një trafik të panevojshëm.

“Dita e parë e shkollës nuk do të jetë si ditët e tjera të shkollës ku 70 mijë nxënës do të shkojnë për të kapur orën e parë. Do shoqërohen nga prindërit e gjyshërit, lulet, dhuratat që janë pjesë e traditës e kulturës tonë dhe do t’i bëjmë të gjitha. Çështja është se edhe në Nju-Jork, edhe në Londër, edhe në Tokio, edhe në Paris, edhe në Berlin 70 mijë makina të gjitha përnjëherë, është çmimi që secili prej nesh paguan në Tiranë”, – tha Veliaj.

“Kur i kemi mundësi të ecim në distanca të vogla, të inkurajojmë njëri-tjetrin për ta bërë këtë duke shmangur lëvizjen me makinë”, – shtoi ai.

Më tej, ai tha lidhur me pastrimin e qytetit në ditën e nesërme se “administratorët të jenë në krye të punës. Secili bashkë me banorët e lagjeve të kontribuojnë për një ambient sa më të pastër. Prej tre vitesh kemi nisur aksionin e pastrimit të qytetit, të vazhdojmë me këtë ritëm”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës vlerësoi gratë administratore të njësive, të cilat sipas tij kanë pasur një performancë të shkëlqyer, duke i konsideruar gra në perfeksion lidhur me detyrat e kryera deri më tani.

Për shitjet ambulante rrugëve të kryeqytet, Veliaj tha se këto të fundit nuk janë karakteristikë e asnjë vendi të civilizuar dhe nuk do të jenë as e Tiranës. Gjatë mbledhjes në sallën e këshillit bashkiak, ai u kushtoi një rëndësi të madhe edhe promovimit të agroturizmit, duke sjellë në vëmendje edhe festën e Pezës, Shëngjergjit, Baldushk etj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.