Turizmi përshpejtoi rritjen e shitjeve në sektorët prodhues të ekonomisë

87

TIRANË, 14 shtator /ATSH/- Indeksi i shitjeve në sektorin prodhues të ekonomisë shqiptare u rrit me ritme të larta edhe në 3-mujorin e dytë, duke sinjalizuar ritme të kënaqshme të rritjes favorizuar ndër të tjera edhe nga një sezon turistik i suksesshëm në Shqipëri.

Turizmi rritje dyshifrore krahasuar me një vit më parë

Tendenca e shitjeve ishte pozitive në sektorin e shërbimeve, kryesisht në degët e lidhura me turizmin, si agjencitë e turizmit, hoteleria dhe transporti, ku shitjet u rritën me ritme dyshifrore krahasuar me një vit më parë.

Shitjet e biznesit u rritën kryesisht nga tendenca pozitive e turizmit, që edhe këtë vit është në rritje, siç dëshmohet nga të dhënat për hyrjen e vizitorëve dhe shpenzimet për udhëtime në bilancin e pagesave.

Ndërkohë, tregtia, dega me peshën kryesore në shërbime, shënoi një rritje prej 1.9% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Industria rriti shitjet me 12.6%

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, industria rriti shitjet me 12.6% me bazë vjetore, duke u mbështetur sërish në një masë të madhe në prodhimin e lartë të energjisë elektrike. Shitjet në këtë degë u rritën me më shumë se 38% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Edhe dy degët e tjera të industrisë, ajo nxjerrëse dhe përpunuese raportuan rezultate të mira. Në veçanti, degë me peshën kryesore, industria përpunuese i rriti shitjet me 15.5%. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.