Turizmi, Çeku: Të shkojmë drejt modelit të orientuar nga tregu

63

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E premte, 14 Shtator 2018

TIRANË, 14 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Për zhvillimin e turizmit, duhet duhet të shkojmë drejt një modeli që është më i orientuar nga tregu, që e sheh turizmin si destinacion, si menaxhimi i tij dhe promovimi i atij destinacioni, pasi modeli që kemi është më burokratik”, – deklaroi sot zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku në aktivitetin e organizuar për “Akademinë e 100 fshatrave +”.

Çeku prezantoi programin e Ministrisë në lidhje me 100 fshatrat. Besoj se “Akademia” është pjesa më e rëndësishme e programit, sepse do të na sigurojë mundësinë që të kemi komunitetin pjesë të gjitha përpjekjeve në identifikimin e problemeve. Po ashtu, në vizionin e zgjidhjeve zhvillimore të jetë një proces i vazhdueshëm dhe të jetë pjesë e revizionimit dhe e ndërhyrjeve që do e pasojnë më tej”.

“Në nivel praktik, ne si Ministri kemi qenë të angazhuar me përgatitjen e një matrice, ku është përmbledhur informacioni për turizëm dhe mjedisin në raport me këto 100 fshatra. Ka qenë një komunikim intensiv me bashkitë dhe institucionet e tjera për të plotësuar një dokument ku thjeshtë ofrohet një bazë e përgjithshme për mundësitë dhe problematikat që kanë këto 100 fshatra. Është ky dokument që është ndarë më Akademinë dhe besoj i ka shërbyer dhe grupeve të punës”, – tha ai.

Në lidhje me këtë dokument, tha Çeku, ne kemi kërkuar që gjatë punës tuaj të bëhet dhe plotësimi i të dhënave dhe në të njëjtën kohë kemi kërkuar që në pjesën e burimeve turistike, kryesisht të monumenteve të kulturës, të ketë dhe një lloj përditësimi të informacioni në lidhje me gjendjen e këtyre monumenteve, por dhe nevojat që kanë ato për ndërhyrje pasi janë një pjesë e rëndësishme e atyre vlerave që duhet të realizohen gjatë programit të 100 fshatrave.”

Duke folur per pjesën e rëndësishme të matricës, Çeku shton se në të njëjtën kohë është pjesa e fundit e matricës që ka të bëjë me identifikimin e probleme dhe ndërhyrjet për të rritur vlerën turistike të këtyre zonave.

“Qasja që është përdorur te “Akademia” është ndarja në zona, sepse është qasje rajonale. Ne besojmë se kjo është qasja që duhet të përvalojë dhe të eci përpara. E para, në raport me produktin rajonal turistik, pra që të funksionojë i gjithë sistemi i koordinuar dhe integrale duhet të kemi fokus zhvillimin e produktit rajonal turisti si pikë e parë. E dyta, duhet të kemi zgjidhje smart për problematikat mjedisore me të cilat ballafaqohen këto fshatra”, – tha zv.ministri.

Po ashtu, Çeku shtoi se për qasjen rajonale ne jemi duke zhvilluar disa diskutime, se cili do të jetë modeli i ardhshëm i menaxhimit të turizmit në Shqipëri.

“Ne besojmë se modeli duhet të shkojë ne drejtim të organizatave të menaxhimit të destinacionit nga modeli aktual që është shumë burokratik, ku turizmi mbetet brenda brenda institucioneve qendrore dhe bashkiake. Ne duhet të kalojmë në një model që është më i orientuar nga tregu që e she turizmin si destinacion si menaxhim i tij dhe promovim i atij destinacioni dhe besoj se shumë shpejt deri nga fundi i vitit ne do të kemi një dokument të shkurtër por që i vendos bazat e një organizimi të ardhshëm të turizmit në Shqipëri me bazë te organizata e menaxhimit të destinacioneve sepse ne mendojmë që kjo është e ardhmja e sistemit të menaxhimit dhe zhvillimit të turizmit në Shqipëri”, – theksoi Çeku.

“”Programi 100 fshatrat”, do të kanalizojë një numër të kapitaleve të ndryshme në këto fshatra përmes investimeve në infrastrukturë, restaurime dhe të tjera. Që të funksionojë ky model zhvillimor, duhet të kemi kujdes që të zhvillojmë dhe kapitalin social në këto fshatra dhe këto zona sepse ky është për funksionimin e zinxhirit të vlerave të turizmit”, – tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.