Speleologë nga Europa ngjiten në eksplorimin e Nikaj-Mërturit

245

TIRANË,14 shtator/ ATSH – N.Lena / – “Plot 4 ekspedita speleologjike me speleologë italo-sllovenë, u ngjitën këtë verë në Alpet Shqiptare dhe konkretisht në Parkun Natyror Rajonal Nikaj-Mërturi dhe pritën që gjatë vjeshtës të ketë dhe dy ekspedita të tilla”, – thotë për ATSH, Ndoc Mulaj specialist i speleologjisë shqiptare.

Krahina e Nikaj-Mërturit dhe malet përreth, formojnë njësinë më të madhe të Alpeve Lindore dhe një nga më të mëdhatë, më të lartat e më madhështoret e krejt Alpeve Shqiptare.

Ajo shtrihet midis Luginës së Valbonës në veri e lindje, luginës së Drinit, sot liqeni i Komanit (nga bashkimi i Valbonës me Drinin e deri te bashkimi i Lumit të Shalës me liqenin e Komanit) në jug dhe luginës së Shalës në perëndim.

Nikaj-Mërturi rrethohet nga një hark i fuqishëm natyrorë i cili e mbyll atë në të tri anët, duke e hapur në drejtim të juglindjes në liqenin e Komanit (Brisë-Rajë). Harku malor përbëhet krejtësisht prej shkëmbinjve gëlqerorë të triasit, me përjashtim të pak sektorëve ku dalin flishet dhe rreshpet e vjetra.

Pellgu i Nikaj-Mërturit që shtrihet brenda këtij harku të madh malor është më i madhi në Alpet Shqiptare dhe ka tiparet e një amfiteatri madhështor. Per shkak të rënies monoklinale dhe ndërthurjes së shtresave të forta gëlqerore me të buta rreshpore, relievi është i tipit strukturor-eroziv me kueste, ndërsa luginat janë të tipit subsekuent.

Ndoc Mulaj, drejtor i Qendrës Alpe dhe koordinator i këtyre ekspeditave thotë për ATSH, se “Nikaj-Merturi përbën zonën më të pasur me shpella në Alpet Shqiptare dhe më tej, prandaj ka tërhequr edhe vëmendjen e speleologëve të huaj të cilët që nga viti 1999 e në vazhdim kanë zhvilluar shumë ekspedita duke eksploruar shpella ku një pjesë e të cilave janë në eksplorim e sipër. Me kryesorja nga të gjitha është Shpella Bira e Zezë, siç e quajnë vendasit, në fshatin Qeresh-Mulaj ku deri tani janë eksploruar mbi 6500 m (6.5 km), çka e bën shpellën më të gjatë në Shqipëri dhe pas përfundimit të plotë të saj pritet të jetë një nga më të gjatat e me të famshmet në Europë”.

Ekspedita e parë e këtij viti filloj më 26 qershor deri me 2 korrik nga një grup i vogël i shoqatës Boegan të Triestes i kryesuar nga Lorenzo Marini, të cilët fillimisht hynë në Shpellën e Kolë Gegës e cila ndodhet midis fshatit Palç dhe Varg, 300 m mbi liqenin e Komanit dhe pastaj u ngjitën në shpatet e Kakisë për të vazhduar me Shpellën e Kakverrit.

Për të dy këto shpella pritet që të vijë edhe një ekspeditë tjetër përgjatë vjeshtës. Ndërsa ekspedita e dytë u zhvillua nga 18 gushti 2018 deri më 31 gusht 2018 në Shpellën Bira e Zezë nga grupi i speleologeve të Federatës Sllovene nën drejtimin e Rok Stopar. “Gjatë kësaj ekspedite u eksploruan 450 metra të reja. Përveç largësisë prej mbi 6 km, vështirësitë në këtë shpellë këtë vit janë shtuar pasi pjesa në vazhdimi është duke u bërë më shumë vertikale, kështu që për të avancuar me tej duhet të përdoren teknikat e ngjitjes”, – shpjegon Ndoc Mulaj.

Brenda shpellës ata kanë ngritur 2 kampe 4 ditore. Duhen më shumë se 10 orë ecje për të arritur pjesët përfundimtare të saj. Të gjitha të dhënat tregojnë se vazhdimi i shpellës Bira e Zezë po shkon drejt Majes se Hekurave dhe objektivi në vazhdim është arritja në dalje të saj. Kjo do të ishte dhe një kuriozitet për lartësinë Maja e Hekurave ku shumë gojëdhëna popullore e lidhin dhe me Arkën e Noes. Ekspedita e trete nga Grupi Martinese me 17 speleolog nga Italia e jugut filloj më 20 gusht, në Vranë me Shpellë e Shtarzes e cila ndodhet rreth një orë nga Vrana, poshtë Thepave të Shtarzes. Eksplorimi i saj filloj vitin e kaluar ku u përshkruam rreth 2.7 km galeri.

Ekspedita e katërt fillon sot më 14 shtator 2018, e do të vazhdojë deri më 22 shtator 2018 në pllajën poshtë Majes së Hekurave ku mendohet se mund të jetë dalja e Shpellës Bira e Zeze. Grupi eksplorues përbëhet nga 5 speleologë të Shoqatës “E.Boegan” të Triestes, e cila është shoqata speleologjike me e vjetër në botë e themeluar që në vitin 1883. Ekspedita, nën drejtimin e Lucio Comello, do të vazhdojë hulumtimet përgjatë pllajës poshtë Majës së Hekurave në lartësinë 2010-2300 m, ku nga ekspeditat e mëparshme janë zbuluar disa zgavra interesante dhe me vazhdueshmëri.

Nga kjo ekspedite pritet, që ndonjëra nga këto zgavra, t’i drejtojë drejt shpellës “Bira e Zezë”, gjë e cila përbën edhe qëllimin kryesor të këtij grupi me speleologë italo-sllovenë, të cilët po punojnë prej rreth 20 ditësh dhe me kushte tepër sfiduese. Në vazhdim priten edhe dy ekspedita të tjera, njëra per vazhdimin e eksplorimit të shpellave të Kol Gegës dhe Shpellës së Kakverrit dhe tjetra për eksplorimin e Shpellës së Boshit e cila ndodhet në Malin e Boshit midis Currajve te Epërm dhe Thethit, eksplorimi i e cilës është tepër sfiduese dhe me shumë surpriza. Përgjatë këtyre viteve në këtë krahinë janë eksploruar edhe shpella te tjera si Shepella e Shkëmbit të Rajes, Shpella e Lumit, Shpella Mark, Shpella e Alisë, Shpella e Dreles, Shpella Muldea, Shpella Mateo, Shpella e Bunsit, Shpella Bira e Qafës Pipit, Shpella Kolet, Shpella e lakuriqëve, Shpella e Kaponit, Shpella e Fratit etj, ndërsa janë për t’u eksploruar Shpella e Boshit, Shpella e Kokones, Shpella e dhive te Egra, Shpella “Bira që qet gur” e të tjera.

Me shpellat e eksploruara, bashkë me këto që janë në eksplorim e sipër dhe me ato që do të zbulohen e eksplorohen. “ Qëllimi ynë final është që të shkojmë drejt krijimit të “Parkut speleologjik Nikaj-Merturi” si i vetmi në rajon e më gjerë i këtij lloji. Ky do të ishte dhe një tjetër atraksion për turistët që vizitojnë veriun e vendit, por dhe një vlerë e shtuar për ekonominë e këtyre zonave”, – e mbyll bashkëbisedimin me gazetarët e ATSH-së, Ndoc Mulaj, drejtori i Qendrës Alpet dhe koordinator i këtyre ekspeditave. /a.g/

DCIM100GOPRO

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.