Shqipëria ka pozicionin e saj në kullat e aeroporteve ndërkombëtare

248

TIRANË, 14 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Krijimi i shoqërisë së parë kombëtare të fluturimeve “AIR ALBANIA” është në shenjën e garancive juridike, financiare dhe teknike dhe në përputhje me kriteret e Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të kompanisë shqiptare “AIR ALBANIA”, e cila sipas tij “është krijuar jo më nën shenjën e spekulimit, apo mashtrimeve financiare tipike për vite me radhë”.

“‘AIR ALBANIA’ është krijuar në shenjën e garancive juridike financiare dhe teknike dhe në përputhje me kriteret e Aviacionit Civil Ndërkombëtar. Për vendin tonë ajo është një instrument strategjik dhe afatgjatë, që ka garancinë e një partneri të padiskutueshëm siç është ‘Turkish Airlines’. Kjo kompani është për vite mes konkurrentëve më të mëdhenj të globit dhe ka marrë edhe çmimin e kompanisë me shërbimin më cilësor në botë”, – tha Rama.

Shteti shqiptar, sipas tij, nuk mund të ndjehet dot plotësisht i realizuar nëse neglizhon, pasi ka harruar për një kohë shumë të gjatë, nevojën për të pasur pozicionin e vetë modest, por të palëvizshëm në hartën dhe në ekranet e kullave të vrojtimit të aeroporteve të vendeve ku udhëtojnë shqiptarët.

Me kompaninë kombëtare të fluturimit “AIR ALBANIA”, Rama tha se, “kemi nisur rrugën e një epoke të re ndërlidhje me Europën, por edhe përtej Europës”.

“Sot, falë ‘AIR ALBANIA’, ne mund të fluturojmë, por do të na duhet ky vizion, ky partneritet, kjo vendosmëri me të cilën arritëm deri këtu, për të vazhduar dita-ditës që të fluturojmë me ‘këmbë në tokë'”, – tha Kryeministri Rama./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.