Shpallet në Tiranë thirrja e tretë e programit të vetëpunësimit për të rinjtë

149

Qeveria program vetëpunësimi: Një ide biznesi, ju ndihmojmë ta ktheni në sipërmarrje. Për pak më shumë se një vit, janë krijuar rreth 90 biznese të reja nga këta të rinj.

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ – U shpall sot në Tiranë thirrja e tretë e programit të vetëpunësimit për të rinjtë.

Çdo i ri apo re me një ide dhe plan biznesi mund të aplikojë deri në 30 shtator pranë zyrës së punësimit Tiranë dhe do të përfitojë financim të biznesit të tij.

Programi synon të ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë në mënyrë që të jenë të përgatitur për tregun e punës.

Në vitin 2016 programi prezantoi këtë komponent që kishte për qëllim vetëpunësimin e të rinjve nga grupmoshat 18-30 vjeç. Si rezultat sot janë krijuar rreth 90 biznese të reja nga këto të rinj.

Altini nga Korça pjesë e këtij programi, tregon historinë se si e nisi biznesin e fotografit si një nevojë për lekë, pastaj me kalimin e kohës kaloi si pasion për të bërë edhe video jo vetëm foto duke e shndërruar në një sfidë për punë më të kualifikuar dhe cilësore, që i përfitoj nga trajnimet që ndoqi në këtë program.

Sot Altini ka ngritur biznesin e tij, që për shërbimet që ofron i afrohet një sipërmarrje në sektorin e fotografisë.

Idetë fituese të biznesit do të mbështeten nga programi i vetëpunësimit, inicuar nga qeveria shqiptare, zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit (SHKP) dhe financuar nga qeveria e Zvicrës.

Kjo mbështetje përfshin trajnimin, mentorimin dhe financimin e start-up-eve. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.