Rikthehet Kategoria Superiore, ja sfidat kryesore

62

TIRANË, 14 Shtator /ATSH/ -Pas ndalesës, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, Kategoria Superiore rikthehet për një periudhë njëmujore, deri në ndërprerjen e radhës për duelet e Uefa Nations League.

Duke nisur që këtë javë nuk do të mungojnë duelet e rëndësishme, që, në fakt, këtë edicion janë pothuajse javë pas jave.

Plot 5 javë të kampionatit do të luhen gjatë kësaj periudhe, ku skuadrat do të jenë të angazhuara në sfidat e kthimit të Kupës së Shqipërisë, por edhe me një mesjavë në Superiore. Të hënën, në Vlorë, në sfidën e vlefshme për javën e 4-t, zbresin Flamurtari me Skënderbeun, dy skuadrat e kreut të klasifikimit.

Fundjavën e ardhshme këto dy skuadra do të kenë sërish duele të mëdha. Në javën e 5-të Partizani pret Flamurtarin në “Selman Stërmasi”, ndërsa Tirana udhëton në Korçë për t’u përballur me Skënderbeun kampion. Pika kulminante e kësaj periudhe do të jetë e premtja e 28 shtatorit, pasi kampionatit i rikthehet derbi Tirana – Partizani, pas një viti mungesë. Java 6 rezervon duelin më të nxehtë të sezonit, me kryeqytetin që paralizohet nga “ethet” e derbit.

Mesjava e 3 dhe 4 tetorit është e tëra për kampionatin, ndërsa skenën e rrëmben dueli i Korçës mes kampiones dhe nënkampiones së edicionit të kaluar. Skënderbeu – Kukësi është sfida që do të mbyllë javën e 7-të të enjten e 4 tetorit. Përpara ndalesës së kampionatit, do të luhet edhe java e 8-të e Superiores, ku në qendër të saj është sfida mes Kukësit dhe Partizani, dy skuadra me pretendime të mëdha këtë edicion.

Shumë duele direkte në harkun e një muaji, por pa harruar edhe sfidat e tjera, që mund të ndikojnë në kristalizimin e renditjes, për të kuptuar më mirë dhe ndarjen e skuadrave në objektivat sezonalë.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.