Rama: Para portalit, e pamundur të bëheshe mësuese me meritë

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ “Nuk ishte 100 vjet para, ku bëri xhiron e rrjeteve sociale pamja e arrestimit të një drejtoreje shkolle, një nga rastet e pakta që përforcojnë rregullin se gratë dhe vajzat janë shumë më pak të pakorruptueshme. Asaj iu gjetën në tualet të fshehura paratë e marra nga nëna apo vajza të reja që donin të bëheshin mësuese”.

Kështu e nisi Kryeministri Edi Rama argumentin për të theksuar se përpara nisjes së portalit “Mësues për Shqipërinë” ishte e pamundur të bëheshe mësuese në bazë të meritës.

Ai risolli rastin e dëshmuar të një mësueseje që kishte qëndruar 8 vjet pa punë, për shkak se nuk mund të konkurronte për vendin e punës, por duhet “t’i gjente anën”.

“Tetë vjet pa punë mësuesja që doli e para në qarkun e Tiranës në garën e parë që hapëm për matematikë. E ka Shqipëria luksin të mbajë të papunë një mësues të aftë për të dhënë matematikë, ndërsa vendin e saj e zinte dikush tjetër që numëronte me dy gishta?”

Duke theksuar faktin që tashmë, ky fenomen ka marrë fund, Kryeministri Rama theksoi se koston e punësimit të mësueses që numëronte me dy gishta e kanë paguar prindërit e gjithë spektrit të mbështetësve të partive politike.

“Kështu, partitë tradhtonin njerëzit që i votonin duke bërë qoka e klientelizma”, – përfundoi Kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.