PD: Lojërat e fatit u shumëfishuan

66

TIRANË, 14 shtator /ATSH – I. Vata/ – Deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj, në një konferencë të përbashkët për mediet në selinë e PD-së, akuzuan ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si të përfshirë në aferën me lojërat e fatit.

Në fjalën e saj, Tabaku u shpreh se “lojërat e fatit nuk u mbyllën, por u shumëfishuan nën presionin direkt të kryetarit të Komisionit të Ligjeve të atëhershëm, Fatmir Xhafaj”.

“Fatmir Xhafaj e bllokoi për 8 muaj në Komisionin e Ligjeve drejtuar nga ai, deri sa ato bënë marrëveshje për ndarjen e tregut të bixhozit. Ndonëse ligji u paraqit për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve në prill të vitit 2015, Fatmir Xhafaj si kryetar e bllokoi atë deri në nëntor të vitit 2015, duke e bërë atë ligjin që ka qëndruar më gjatë në historinë e parlamenti”, – tha Tabaku.

Sipas Tabakut, Xhafaj ka bërë marrëveshje me ministrin e Financave për aferat e lojërave të fatit.

“Marrëveshja e Xhafajt me ministrin e Financave prodhoi ndryshimet më të mëdha për biznesin e bixhozit, pasi nga 200 m distancë, qeveria shkurtoi me 100 metra nga shkollat dhe institucionet fetare, nga 23% që ishte propozuar tatimi mbi fitimin u ul në 15%”, – shton Tabaku.

Më tej deputetja e PD-së tha se “është fakt se mbështetja e Fatmir Xhafajt ndaj bixhozit, katërfishoi pikat e basteve nga 920 deri në 4200. Sot në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, ka më shumë dyqane bastesh dhe kazino se sa dyqane ushqimore. Dhe shumë prej tyre kanë lidhje me klanin mafioz Xhafaj. Ja, pse Fatmir Xhafaj ka patur ndikim direkt në bllokimin e ligjit për lojërat e fatit tetë muaj në Komisionin e Ligjeve”.

Ndërsa deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj solli në vëmendje dënimin në Itali të vëllait të ministrit të Brendshëm. “Agron Xhafaj është dënuar me burg në Itali për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtarë të drogës, një bandë e strukturuar kriminale. Pjesë e bandës Xhafaj janë dhe dy bashkëpunëtorët e tij, vëllezëri Besnik dhe Gramoz Murataj, të dënuar edhe këta për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtare droge”.

Sipas Alibeajt, “bashkëpunëtorët e Agron Xhafajt, janë pronarë sot të dy kompanive të basteve”.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.