“Nymfa e Liqeneve” një atmosferë festive traditash

79

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ – Festa Lokale “Nymfa e Liqeneve” ju mirëpret sot dhe nesër në Belsh. Festa ka për qëllim promovimin e bukurive natyrore të liqeneve të mrekullueshme të Belshit, promovimin e kulturës, traditës, veshjeve popullore të zonës dhe kulinarisë të zonës, veç të tjerash mes prodhimeve bujqësore dhe blegtorale biologjike, me qëllim tërheqjen e sa më shumë vizitorëve për turizëm liqenor dhe jo vetëm.

Dita e parë e festës sot ka nisur me një panair në sheshin e qytetit nga bizneset e zonës ku më pas ka vijuar me një konferencë shkencore nga lektorë të njohur me kumtesa për historinë e Nymfës së Liqeneve dhe në mbrëmje publiku vendas dhe vizitorët do të shijojnë një koncert nga grupet folklorike të zonës.

Dita e dytë e festës do të ketë një guidë turistike të mrekullueshme në vendet më të bukura të zonës së Dumresë.

Gjithashtu ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se, “sot dhe nesër mund shkoni në Belsh, për të parë nga afër transformimin dhe rilindjen e kësaj zone. Por mbi të gjitha për të festuar me banorët dhe për të njohur produktet lokale, prodhimin e shafranit, vajit të ullirit, rakisë, verës, produktet blegtorale dhe gatimet tradicionale në një atmosferë festive traditash”. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.