Myrtis, ekspozita sjell në Tiranë vajzën-simbol nga Greqia klasike

131

MIRËMËNGJES 😀dhe me këtë ftesë për të vizituar një ekspozitë vërtet të veçantë në Qendrën për Hapje e Dialog në Kryeministri, ju uroj një ditë të bukur😊

Posted by Edi Rama on E enjte, 13 Shtator 2018

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Myrtis dhe historia e vajzës së veçantë për Kombet e Bashkuara vjen në ekspozitën “Myrtis: Ballë për ballë me të shkuarën”, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) për publikun. Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale e ka sjellë në vëmendje të publikut këtë ekspozitë si një event që nuk duhet humbur.

Ai e cilëson Myrtis, vajzën  nga Athina e Lashtë e cila vdiq nga tifoja, fytyra e së cilës është rindërtuar nga arkeologët dhe historianët, si një vajzë simbol.

Ekspozita që hapet sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog  shpalos fytyrën e saj të rindërtuar, shoqëruar me shkrime dhe imazhe të cilat përshkruajnë plot gjallëri botën në të cilën ka jetuar Myrtis, përpjekjet dhe sfidat e saj, duke sjellë në jetë në të njëjtën kohë epokën e Perikliut dhe Luftën e Peloponezit.

Myrtis është një vajzë 11-vjeçare, e cila vdiq në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë. Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe u ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjeve të jetëve të shumë athinasve.

Tetë vite të shkuara ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë “është ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për reduktimin e vdekshmërisë te fëmijët dhe në luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera, çdo vit mbi 6 milionë fëmijë humbin jetën përpara se të arrijnë moshën pesëvjeçare. Sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinimit vazhdojnë të jenë sërish shkak që 1.5 milionë njerëz të humbin jetën çdo vit nëpër botë.

Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

Ekspozita çelet për publikun në COD në datë 14 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.