Miqësoret Shqipëri-Maqedoni, kombëtarja U-15 nis grumbullimin në Korçë

81

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ – Kombëtarja e U-15 ka nisur sot në Korçë grumbullimin e saj në vigjilje të dy ndeshjeve miqësore të programuara për t’u luajtur më 18 dhe 20 shtator me ekipin kombëtar të Maqedonisë të po kësaj moshe.

Trajneri, Eqerem Memushaj do të grumbullojë 23 futbollistë të ditëlindjes 2004-2005, ku shumica e tyre janë pjesë e kampionatit shqiptar.

Trajneri Memushaj theksoi se kundër ekipit të Maqedonisë, lojtarët do të japin maksimumin.

“Një grumbullim dhe dy ndeshje që na shërbejnë shumë. Gjatë gjithë kësaj kohe, së bashku me stafin kemi parë lojtarë të kësaj moshe. Janë dy takime ku do të kërkojmë të bëjmë maksimumin tonë në fushë. Mbi të gjitha do jenë dy teste që do të na japin një ide shumë më të mirë për të gjithë performancën e kësaj skuadre në secilin sektor”, – theksoi Memushaj.

Ndeshjet miqësore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të luhen në datën 18 shtator, ora 16:00 në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë.

Ndërsa ndeshja e dytë do të luhet në stadiumin “Biljanini” në Ohër të Maqedonisë, në datë 20 shtator, ora 16:00./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.