Me “AIR ALBANIA” shqiptarët do të udhëtojnë më gjatë

129

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ – Duke sjellë shembullin e aviacionit në vitet ’20, Kryeministri Edi Rama gjatë inaugurimit të kompanisë “AIR ALBANIA”, deklaroi se ambicia e qeverisë është që në të ardhmen kjo kompani të bëjë edhe fluturime të gjata.

Kreu i qeverisë thekoi se 99% e fluturimeve të tanishme mbulojnë distanca të shkurtra.

“Shifrat flasin për një numër udhëtimesh dhe udhëtarësh shqiptarë me rritje eksponenciale, ama nga ana tjetër tregojnë se 99% e këtyre fluturimeve mbulojnë distanca të shkurtra, ose shumë të shkurtra. Ambicia jonë është që me “AIR ALBANIA” të shkojmë përtej kësaj.

Ka qenë viti 1924, kur Shqipëria ka tentuar përmes qeverisë së asaj kohe për të pasur një kompani fluturimi europiane dhe atëherë u krijua “Adria Aerolloid”, që kishte si destinacion Sofjen, Romën, Beogradin, Podgoricën, por edhe Elbasanin, Korçën, Gjirokastrën apo Peshkopinë. Kurse nga ana tjetër, ne sot jemi i vetmi vend në Europë që kemi vetëm një aeroport. Natyrisht, që pistat e atëhershme ishin thjesht disa rrugë të paasfaltuara dhe nuk krahasoheshin me kompleksitetin e aviacionit modern, por ama shqiptarët fluturonin me avion për në Peshkopi, Elbasan, për në Gjirokastër etj.

Kryeministri në fjalën e tij u ndal dhe te domosdoshmëria që vendi ka për ndërtimin e aeroporteve, si pika hyrëse mjaft komode dhe të shpejta.

Rama theksoi se prioritet i qeverisë do të jetë ndërtimi i 3 aeroporteve të tjera.

“Nuk po them që ky është synimi i së ardhmes, por po nënvizoj që ne jemi të fokusuar që paralelisht me fuqizimin e kompanisë sonë të flamurit, të mos jemi më vendi me 1 aeroport, po të kemi të paktën dhe 3 aeroporte të tjera, të Vlorës, Kukësit dhe Sarandës”, – theksoi Rama.

Sipas Kryeministrit, kompania e re e fluturimeve “AIR ALBANIA”, do të ndikojë në uljen e çmimit të biletave të avionit, duke i dhënë fund abuzimeve.

“I dëgjoj me vëmendje nganjëherë, përveçse mërzitem dhe acarohem nga ankesat e panumërta dhe plotësisht të drejta të shqiptarëve që rrojnë gjatë gjithë vitit në emigracion, me dëshirën që t’i kalojnë pushimet në Shqipëri dhe pastaj detyrohen që të paguajnë bileta që të heqin mendjen e kokës. Natyrisht janë në të drejtën e tyre që të gjithë atë mllef që akumulohet nga kjo grabitje që u bëhet, për shkak të disa kushteve që ne po i krijojmë hap pas hapi, ta derdhin inatin mbi qeverinë dhe mbi mua. Nga ana tjetër, kjo është kostoja e trashëgimisë që është shumë e vështirë që kemi mbi supe dhe prej të cilës ne po çlirohemi hap pas hapi. ‘AIR ALBANIA’ është një nga instrumentet për t’u çliruar nga kjo trashëgimi me një shërbim dinjitoz dhe çmime konkurruese. Ashtu sikundër ndërtimi i aeroporteve të tjera të çon në këtë rrugë”, – përfundoi Kryeministri. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.