Mbi 60 kërkesa të reja për subjekte agroturistike në 2018

140

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ – Programi “100+ fshatrat”, ka nxitur kërkesën dhe interesin e subjekteve për ngritjen e qendrave agroturistike, bujtinave apo inkubatorëve që plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore për gatimet në kushtet e shtëpisë në të gjithë vendin.

Zv.ministrja e Bujqësisë Ermira Gjeçi bëri të ditur se, deri tani janë 44 kërkesa të reja për ngritjen e qendrave agroturistike në fshatrat e programit “100+ fshatrat”, 13 kërkesa për bujtina dhe 4 kërkesa të tjera për inkubatorë ushqimorë.

Kjo shifër përbën një trefishim krahasuar me një vit më parë dhe përbën një numër më të madh se tre vitet e mëparshme të mbledhura së bashku.

Ndikimi kryesor për këtë lulëzim të këtij lloji aktiviteti janë mbështetja përmes skemave dhe lehtësive fiskale të miratuara së fundmi. Këto përfshijnë fondin prej 2.5 milionë eurosh për zhvillimin rural dhe diversifikimin ekonomik, TVSH e ulur për strukturat akomoduese në 6%, tatim fitimi në vetëm 5%, si dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë zero.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i vlerëson këto statistika, duke e quajtur agroturizmin një mundësi për të shtuar vlerën e prodhimit bujqësor, punësimin dhe mirëqenien në fshat. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.