Haradinaj pret Bushatin në Prishtinë: Fund barrierave burokratike

61

PRISHTINE, 14 shtator /ATSH/ – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Fillimisht, Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin Bushati për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, Agjendën e Reformave Europiane, zhvillimin ekonomik, fuqizimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve të MSA-së, dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera me rëndësi për vendin.

Sipas një njoftimi të qeverisë së Kosovës, Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në procesin shtetformues dhe proceset tjera me rëndësi për vendin, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet edhe më tej, në fushën e zhvillimit ekonomik, të këmbimeve tregtare, arsim, kulturë, shëndetësi dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.

Gjatë takimit Kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për rrugën e integrimit euroatlantik, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, dhe në organizata tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

“Mbështetja që ka dhënë Shqipëria për Kosovën në të gjitha etapat ka qenë e rëndësishme, prandaj kërkojmë që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve të vazhdojë edhe në fushën e zhvillimit ekonomik. Ne duhet t’i ndryshojmë parametrat ekonomik mes vete dhe t’i heqim barrierat burokratike”, – tha Kryeministri Haradinaj, duke falënderuar ministrin Bushati për rolin konstruktiv të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.

Gjatë takimit është biseduar edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, po ashtu edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Pejë.

Ndërkaq, ministri Bushati, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për vendimin pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamentit Europian, në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar që edhe më tej të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.