Foto/ “Myrtis” – Vogëlushja e Greqisë së Lashtë me një mesazh të veçantë në Tiranë

238

TIRANË, 14 shtator/ATSH-Z.Tosku/ – Historia e veçantë e vajzës 11-vjeçare nga Greqia e Lashtë, që humbi jetën 2500 vjet më parë nga sëmundja e tifos, në kohën kur në Athinë 1/3 e popullsisë humbi jetën për shkak të epidemisë, zbriti sot në Tiranë me një ekspozitë pranë COD (në Kryeministri), me një sërë pikturash nga piktorë të ndryshëm por edhe me fytyrën e saj në skulpturë të rindërtuar nga historianë dhe arkeologë në masën e 95% të saktë.

Në një konferencë për shtyp për gazetarët dedikuar kësaj ekspozite që do të qëndrojë e hapur për gati 3 javë që nga dita e sotme, ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani, profesori dhe ideatori grek i kësaj ekspozite, Manolis Papagrigorakis, por edhe përfaqësuesja nga zyra e OKB-së në Tiranë, Nora Kushti sollën te detajuar mesazhin e qartë që lidh botën antike me atë bashkëkohore.

Ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani e konsideroi kënaqësi të veçantë ekspozitës, pasi Tirana mbetet e para jashtë kufijve të Greqisë, në të cilën po rijetëzohet vajza klasike nga Greqia e lashtë.

“Myrtis” mban një mesazh të vjetër e shumë bashkëkohorë në të njëjtën kohë. Me historinë e saj, ajo sjell paqen dhe nevojën e luftës ndaj sëmundjeve që prekin fëmijët. Myrtis është vajza e Greqisë së lashtë  që vjen në botën moderne  për t’u takuar me të gjithë bashkëmoshatarët e saj edhe në këtë qytet, duke na kujtuar detyrimin që kemi ndaj brezit të ri, për kujdesin dhe luftën ndaj sëmundjeve që prekin ata.Sot më shumë se 5 milionë fëmijë vdesin nga sëmundje para moshës 5-vjeçare.

Profesori Manolis Papagrigorakis, ideator i ekspozitës tregoi me detaje si lindi ideja e rindërtimit të “vajzës” antike që sjell mesazhe globale të kohës së tanishme.

“ U deshën 30 vite pune për të realizuar fytyrën e Myrtis dhe punuam bashkë me 30 shkencëtarë  për rindërtimin e fytyrës. Gjithmonë më ka interesuar sesi mund të ishte fytyra  grekëve të lashtë. Në vitin 1980 pata iniciativën e parë dhe nisa të studioja materiale të lashta. Në 1995, ndërsa në Greqi po bëhesh punime e gërmime, aty u zbuluan disa varreza të lashta Greke, që për nga mënyra e varrosjes nuk ishin të ngjashëm me traditat e varrimit të Greqisë së lashtë. Ishin varre masive ku skeletet ishin të varrosura në mënyrë të ç’rregullt. Arsyeja ishte sepse ishin i përkisnin kohës kur në Athinë 1/3 e popullsisë kishte vdekur nga një epidemi. Në 1995 filloj programin për rindërtimin e fytyrës së grekëve të lashtë dhe prej skeleteve gjej një kafkë të padëmtuar. E veçanta e kësaj kafke ishte që mbante akoma dhëmbët e qumështit. Kjo kafkë e plotë pati rezultat të ndërtohej në masën e 95% të saj, duke krijuar fytyrën 2500-vjeçare më parë”, – tha ai.

Nga ana e saj, përfaqësuesja  e PNUD në Tiranë, Nora Kushti vuri në dukje simbolikën e kësaj vajze në luftën e sëmundjeve që prekin fëmijët. Duke e lidhur me objektivat e OKB-së, Myrtiz sipas saj, bëhet një mikë e objektivave globalë, më konkretisht të objektivit numër 3, nga 17 të tilla që priten të realizohen deri më 2030 edhe në luftën kundër varfërisë dhe sëmundshmërisë.

Përmes një thirrjeje të veçantë, profesori u bëri thirrje të gjithë nxënësve të shkollave të Tiranës por jo vetëm, për të vizituar ekspozitën pasi pjesë e saj janë edhe “lodrat” e vajzës antike greke.

“Nxënësit e Tiranës mund të njohin vajzën greke dhe të krijojnë një marrëdhënie me të, duke marrë mesazhet që ajo përcjell në situatën aktuale”.

E veçanta e kësaj ekspozite janë janë vetëm përfytyrimet e piktorëve grekë dhe jo vetëm rreth saj, por edhe “lodrat” e kësaj vajze që i sjell për të gjithë bashkëmoshatarët e saj në Tiranë.

Të dhëna rreth historisë së Myrtis…

Myrtis është një vajzë 11-vjeçare, e cila vdiq në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë. Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe u ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjeve të jetëve të shumë athinasve.

Tetë vite të shkuara ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë “është ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për reduktimin e vdekshmërisë te fëmijët dhe në luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera, çdo vit mbi 6 milionë fëmijë humbin jetën përpara se të arrijnë moshën pesëvjeçare. Sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinimit vazhdojnë të jenë sërish shkak që 1.5 milionë njerëz të humbin jetën çdo vit nëpër botë.

Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.