Bushati: Dialogu Kosovë-Serbi, procesi të vijojë me durim strategjik

87

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ – Dialogu Kosovë-Serbi, të vijojë me durim strategjik, kreativitet dhe me vendosmëri

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Kosovë, ku po zhvillon një vizitë zyrtare.

Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrin e parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli, si dhe përfaqësues të spektrit politik në Kosovë.

Ministri Bushati zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli me të cilin diskutuan mbi bashkëpunimin mes dy vendeve tona por dhe rolin e parlamentit në zhvillimet e vendit.

Gjatë takimit me Kryeministrin Haradinaj, biseda u fokusua kryesisht në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe atë shumëpalësh, zhvillimet në rajon dhe dialogu Kosovë- Serbi.

Në takim me zëvëndëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, Ministri Bushati u ndal tek çështjet e bashkëpunimit dypalësh, intensifikimi i punës së përbashkët për rritjen e përfaqësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe më gjerë, mbledhja e përbashkët e dy qeverive si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Ministri Bushati nënvizoi mbështetjen e padiskutuar dhe të qëndrueshme të Shqipërisë për Kosovën.

“Deviza jonë është që Kosova është gjithmonë e para dhe kësaj devize besoj se i jemi përmbajtur me besnikëri pavarësisht pozicioneve të ndryshme politike që aktorë të ndryshëm në Shqipëri mund të kenë për çështje të karakterit lokal. Kur vjen puna për këtë çështje kemi demonstruar unitet dhe solidaritet”, – nënvizoi ministri Bushati.
Duke iu referuar dialogut, ministri Bushati nënvizoi nevojën “për të vijuar në këtë proces me durim strategjik, kreativitet dhe me vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe arritjen e mundimshme të saj”.

Ndërsa në takimin me zëvëndëskryeministrin Fatmir Limaj, u diskutua mbi axhendën e mbledhjes së ardhshme të dy qeverive në Pejë, në funksion të konkretizimit të marrëveshjeve, sidomos në fushën ekonomike.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ministri Bushati zhvilloi takime edhe me krerët e partive politike parlamentare.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.