Akuariumi i breshkave në Radhimë çdo ditë në shërbim të gjallesave detare

180

TIRANË, 14 shtator / ATSH / – Në qendrën e rehabilitimit të breshkave të detit në Radhimë, po vëzhgohet rasti i një breshke të detit e gjetur sot në plazhin e Divjakës në gjendje të keqe.

Prej Divjakës u bë i mundur transportimi i saj në qendrën e Radhimës.

Sipas gjendjes së breshkës së detit e cila është një individ subadult, vihet re mungesa e njërit krah si dhe gërvishtja përgjatë gjithë gjatësisë së karapaksit dhe thyerje në disa pjesë të saj, gjë që ka shkaktuar edhe praninë e parazitëve në këto zona. Shenja të tilla tregojnë se breshka është goditur nga fundi i një anijeje në lëvizje.

Në ditët në vijim breshkës së detit do i jepet ndihma e nevojshme për pastrimin nga parazitët dhe rehabilitimin e saj.

Breshkat e detit janë të afta të jetojnë edhe me një krah, prandaj pas disa ditësh rehabilitim pranë qendrës, do mundësohet lëshimi i saj. Ky akuarium veç destinacionit të tij rehabilitues të gjallesave ujore të dëmtuara në habitatin e tyre, tashmë përbën edhe një kuriozitet për vizitorët e specieve detare.

/n.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.