Agroturizëm – Programit 100+ i shtohen fshatra të rinj dhe tri fusha specifike

156

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ – Programit kombëtar “100 fshatrat” që koordinon sektorë potencialë në funksion të krijimit të modelit të zhvillimit rural përmes agroturizmit, do t’i shtohen fshatra të rinj potencialë nga rrethe të tjera, si dhe tri fusha specifike mbështetëse: agroturizmi, bujtina dhe marka “E dua”.

Zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ermira Gjeçi tha sot gjatë takimit “Akademia 100+ fshatrat” që u zhvillua në Tiranë, se tashmë Ministria e Bujqësisë ka identifikuar 100 fshatrat e parë dhe ka nisur proceduar për fshatrat e rinj që i shtohen këtij programi në 100+, duke e pasuruar me fshatra të tjerë programin për zhvillimin e integruar rural.

“Ndërsa janë përcaktuar edhe 3 fusha specifike mbështetëse të tij që paraqesin potenciale të larta të zhvillimit të agroturizmit që janë agroturizmi, bujtinat dhe marka “E Dua””, – tha Gjeçi.

Tashmë tha ajo për programin “100+ fshatrat” po bashkëpunojnë 4 dikastere (i Bujqësisë, i Transportit dhe Energjisë, i Kulturës dhe i Turizmit) nën drejtimin e Zyrës së Kryeministrit, ndërsa risi e këtij programi është “Akademia e 100 fshatrave”, e cila ka nisur punën në terren duke orientuar fermerët të investojnë në agroturizëm, si e vetmja mënyrë që mund të zhvillojë zonat e varfra, duke tërhequr turistë përmes bukurive natyrore dhe traditave të zonës. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.