Adresat e banimit të deklaruara gabim, së shpejti aministi për transferimin e tyre pa gjobë

TIRANË, 14 shtator/ATSH/- Këshilli i Ministrave po punon me një amendament për të dhënë aministi për të gjithë banorët që derimë tani kanë deklaruar adresë tjetër banimi në dokumentacion, ndryshe nga ku realisht ndodhen.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha shembullin e disa zonave në Tiranë ku numri i banorëve është shumë më e madh se çfarë deklarohet ndërsa kjo e fundit krijon probleme në investime pasi nuk kryhen dot në masën e nevojshme. Kështu, për të shmangur gjobat për banorët, do të jepet amnisti.

“Bëhet fjalë për disa zona që në letër nuk pasqyrojnë realitetin e zonës. Jemi në një situatën, fjala vjen, kur ne duam të bëjmë investime në zonën e Unazës së Re, Yzberisht, Kashar, problemi që kemi me atë zonë është që zona në letra ka vetëm 12 mijë banorë, në realitet ka 80 mijë banorë. Me rregullat e buxhetit e kemi të vështirë të buxhetojmë dhe me të drejtë banorët e zonës duan investime, por ne vetëm 12 mijë banorë kemi në letra. Prandaj bëhet shumë e rëndësishme që puna e parë e 3 administratorëve të jetë inventarizimi i zonës nga njerëzit që banojnë. Së dyti, jemi duke punuar me një amendim që ka kaluar në këshillin e ministrave dhe do të kalojë në parlament që do të krijojë një amnisti, për të bërë transferimin pa gjobë nga vendi ku kanë letrat në vendin ku realisht banojnë”, – përfundoi Veliaj.

Data 27 korrik ishte edhe data e fundit e deklarimit të adresës së saktë të banimit pa gjobën e 10 mijë lekëve.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.