300 nxënës të ekselencës, studime për Mësuesi, qeveria mbulon shpenzimet

96

ERTV Live😊: – Fjala përpara mësuesve fitues të portalit "Mësues për Shqipërinë"Viti i ri shkollor një vit risish të tjera në rrugën e rilindjes së arsimit dhe një hap tjetër përpara në rrugën e konsolidimit të konkurencës dhe meritës për trupën mësimore të Republikës sonë.#EgjithëVëmendjapërMësuesit#EgjithëVëmendjapërNjerëzit

Posted by Edi Rama on E premte, 14 Shtator 2018

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama përshëndeti mësuesit dhe mësueset e mbledhura në takimin “Mësuesit për Shqipërinë që duam”, duke i përgëzuar për ambicien dhe vendin e punës plotësisht falë meritës, dhe duke u kërkuar të mbështesin Qeverinë për ta transformuar edhe më tej sistemin arsimor.

Kryeministri Rama theksoi se ka ikur koha kur në degën e Mësuesisë në universitetet e vendit shkonin vetëm nxënësit me mesatare 5, duke krijuar një kosto që përçohej në mësimdhënie brez pas brezi.

“Besoj që është legjitime që unë të jem sot krenar që këtu para meje foli një nxënëse e ekselencës nga Shkodra që ka zgjedhur mësuesinë së bashku me 300 nxënës të tjerë të ekselencës. Kjo ishte e paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë që nxënësit e ekselencës të shkonin për mësuesi dhe investimin e prindërve dhe ëndrrat e tyre t’i linin peng në sistemin e  marrë fund të mësuesisë që pasohej nga sistemi i marrë fund i  mësimdhënies”, – theksoi Kryeministri.

Ai vuri në dukje se këta nxënës janë garancia më e madhe për t’u thënë të gjithëve se “reforma jona ka nisur të funksionojë dhe Shqipëria që duam nesër do të jetë një mijë herë më e mirë se ajo që kemi sot ndërkohë që Shqipëria sot është njëmijë herë më e mirë se Shqipëria që kishim dje”.

Kryeministri tha se për 300 nxënësit e ekselencës që do të fillojnë të studiojnë këtë vit në mësuesi, të gjitha shpenzimet do të jenë të mbuluara pasi nuk do të kenë asnjë qindarkë shpenzimi për tarifat e universitetit, “sepse mësuesit nga figurantët e mitingjeve të politikës janë drita në syrin e politikës sonë”.

Po kështu, theksoi Kryeministri, pjesa tjetër që nuk vijnë nga ekselenca janë nxënës me mesatare mbi 7, shumë e lartë dhe e pamendueshme për shkollat e mësuesisë që ishin bërë magazinat e ngelësve.

“Pesa është fundi i botës, njësoj sikur me kaçavidë të bëhesh dentist dhe pastaj lum kush mban radhën për të hyrë në dorën tënde”, – theksoi Kryeministri Rama.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.