“100 fshatrat+”, Dollani: Ndërhyrje në shumë site të trashëgimisë kulturore

96

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ – “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në planifikimin ose zhvillimin e vlerave, të cilat ne po intensifikojmë, ose po përpiqemi të nxjerrim në pah në të gjithë këto 100 fshatra”, – theksoi sot Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani.

Në fjalën e saj në akademinë e organizuar për projektin e “100 Fshatrave+”, Dollani tha se “këto janë 100 fshatrat e para që ne po ndërhymë, kemi bërë një analizë të gjatë në vitet e shkuara, përveç kësaj analize kemi arritur të ngrejmë një rrjetë të tërë bashkëpunimi, mes institucioneve”.

“Me disa prej institucioneve tuaja kemi vite që bashkëpunojmë me të tjerë si në nivel qendror dhe atë lokal, por dhe me institucione arsimore kemi vite që bashkëpunojmë, megjithatë tani kemi arritur që të unifikohemi dhe të mbajmë një ritëm të përbashkët shumë të mirë dhe të kënaqshëm në lidhje me zhvillimet e reja, që planifikojmë të bëjmë në territor”, – nënvizoi ajo.

Aktualisht, sqaroi ajo, Ministria e Kulturës ka planifikuar që të ndërhyjë në shumë site të trashëgimisë kulturore.

“Aktualisht po ndjekim në territor kantieret që janë në bashkëpunim me disa donatorë, një prej tyre ndër më të rëndësishmit është Fondacioni Amerikan për Zhvillim”, – tha Dollani.

Drejtoresha e IMK-së u shpreh se “gjatë 5 viteve të shkuara në bashkëpunim edhe me ministritë e linjës, kemi filluar ndërhyrjet nga pazari i Krujës, Shkodra, Korça, Gjirokastra dhe tani do të jemi edhe në qytete të tjera”.

“Gjatë këtyre viteve ndoshta ju keni parë ndërhyrjen, por nuk dini si është prapaskena e organizimit të këtyre kantiereve, kanë qenë kantiere sfidues, ka lindur nevoja e bashkëpunimit me shumë profile dhe profesionistë të fushave të ndryshme”, – theksoi Dollani.

Dollani evidentoi se është i domosdoshëm bashkëpunimi i gjithanshëm i institucioneve.

“Nuk flasim dot vetëm për projektim arkitektonik ose konstruktiv, duhet të kthejmë sytë nga mënyra se si duhet të jetojnë këto struktura, në të cilat ne po ndërhyjmë në kohë fizike. Pra, sesi ato do ta kenë jetën në vazhdimësi, si do të jenë ato të qëndrueshme, si do të gjenerojnë edhe pika të tjera”, – tha ajo.

Dollani bëri të ditur se “ky program do të ndiqet edhe nga programe të tjera, grupeve tona do t’i bashkohen edhe grupe të tjera profesionistësh. Jam e lumtur që shikoj studentët këtu, pasi është një kantier pune real ku studentë të fushave të ndryshme arrijnë të kuptojnë se në profesionin e tyre të mëpasshëm momentin që do të dalin në punë do t’u duhet të bashkëpunojnë, të lëshojnë, të tërheqin, të pasurojnë kulturën e tyre”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.