VOLEJBOLL – Federata zbardh kalendarin e Kupës

287

TIRANË, 13 shtator/ATSH – A. Fortuzi/ – Federata Shqiptare e Volejbollit ka zyrtarizuar kalendarin e Kupës së FSHV. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, në këtë garë do të marrin pjesë 4 ekipet më të mira të sezonit të kaluar, të cilat për femra janë: “Partizani”, “Tirana”, “Barleti” dhe “Teuta”. Në anën tjetër, për meshkuj, do të garojnë këto katër ekipe: “Erzeni”, “Tirana”, “Partizani” dhe “Studenti”. Të gjitha ballafaqimet do të luhen, sipas datave dhe orareve respektive, në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës. Më 21 shtator, në dy orare të ndryshme (17:00 dhe 19:00), do të sfidohen femrat me njëra-tjetrën, sipas këtij kalendari: “Partizani”-“Teuta” dhe “Barleti”-“Tirana”. Një ditë më pas është radha e meshkujve, me kalendar: “Erzeni”-“Tirana” dhe “Partizani”-“Studenti”. Në të njëjtin impiant sportiv në kryeqytet janë përcaktuar të luhen edhe dy finalet e Kupës së FSHV, për meshkuj dhe femra, më 23 shtator. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.