RUSI – Putin: Ushtria ruse do të vazhdojë të përforcohet

387

CUGOL, 13 shtator /ATSH-AFP/ – Rusia do të vazhdojë të përforcojë forcat e saj të armatosura, premtoi sot presidenti rus, Vladimir Putin ndërkohë që ishte i pranishëm në manovrat ushtarake “Vostok-2018”, të organizuara që prej të martës në Lindjen e Largme dhe që janë manovrat ushtarake më të mëdha në historinë e Rusisë.

“Detyra jonë për vendin është që të jemi të gatshëm të mbrojmë sovranitetin, sigurinë dhe interesat tona kombëtare dhe nëse duhet, të mbështesim aleatët tanë”, deklaroi presidenti rus në përfundim të një parade të gjerë ushtarake para se të fillonin manovrat.

“Për këtë arsye do të vazhdojmë të përforcojmë forcat tona të armatosura, t’i pajisim me armë dhe pajisje të teknologjisë së fundit si dhe të zhvillojmë partneritetin tonë ushtarak ndërkombëtar”, shtoi ai para ushtarëve ruse dhe kinezë.

“Rusia është një vend paqësor. Ne nuk kemi dhe nuk mund të kemi asnjë plan agresioni”, garantoi Putini.

Rreth 300 000 ushtarë, 36 000 mjete, 1 000 avionë dhe 80 anije marrin pjesë në manovrat ruso-kineze “Vostok-2018”, që do të zhvillohen deri më 17 shtator në Siberinë Lindore dhe Lindjen e Largme, që i bën manovrat më të mëdha ushtarake në historinë e Rusisë postsovjetike./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.