Qeveria Rama në katër vite, 91 milionë dollarë për ish-të përndjekurit

175

TIRANË, 13 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Qeveria Rama ka dhënë për të përndjekurit politikë,  91 milionë dollarë dhe tetë këste për të burgosurit politikë, ndërsa qeveria e vjetër vetëm një këst”, – tha sot ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ndërsa po fliste në Kuvend për ndryshimet ligjore për ligjin e ish-të përndjekurve.

Duke folur në Kuvend, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj bëri me dije disa statistika të rëndësishme për të parë dhe prekur atë vëmendje që forcat politike ndër vite kanë treguar ndaj ish-të përndjekurve.

Ahmetaj theksoi se ndryshimet ligjore për ligjin e ish-të përndjekurve politikë bëjnë të mundur shenjen e këstit të 9-të për të burgosurit politikë.

Ministri duke iu referuar statistikave ndër vite, u shpreh se “përgjatë harkut kohor 2009 -2018, janë miratuar rreth 13 mijë e 101 dosje të aplikuar nga ish-të përndjekurit politikë, që ndërkohë në retrospektivë financiare janë shpërndarë deri më tani 8 këste për kategorinë parësore dhe për shkak të kufizimeve ligjore të kësteve ku ligji i referohet: jo më i madh se 1 milion dhe jo me i vogël se 100 mijë lekë, ka dalë domosdoshmëria e ndërhyrjes në ligj për të bërë të mundur dhënien e këstit të 9-të për një pjesë të kësaj kategorie, të cilët për shkak të madhësisë dhe kufizimit të kësteve, nuk kanë arritur të marrin atë që u takon. Që do të thotë që kësti i 9-të do të bëjë të mundur një herë e mirë mbylljen e pagesës së dëmshpërblimit për kategorinë parësore (ish-të burgosur politikë). Janë 1200 dosje që do të përfitojnë nga ky ndryshim ligjor”.

“Siç e theksova nëpërmjet këstit të nëntë, ne do të mbyllim gjithë dëmshpërblimin për kategorinë parësore, ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin”, – tha ministri.

“Ka patur një debat të gjatë në Parlament porsa i përket asaj se çfarë ka ndodhur me ish- të përndjekurit politikë, – tha Ahmetaj, duke vijuar se, – do ndaj me ju disa shifra të rëndësishme dhe fatkeqësish po t’i referohesh shifrave Partia Demokratike në qeverisjen e saj i ka përdorur shifrat dhe të përndjekurit për efekte elektorale dhe që nga viti 2010-2014, pra në katër vite janë shpërndarë 7.9 miliardë lekë. Nga viti 2014-2018, në katër vite të qeverisë Rama, janë shpërndarë 9.1 miliardë lekë, pra 79 milionë dollarë njëra forcë politike dhe 91 milionë dollarë qeveria Rama”.

“Debatet, jo këta komunistët dhe këta demokratët, janë qesharake, sepse shifrat flasin vetë. Ne i paskemi dhënë kësaj kategorisë parësore 70 milionë dollarë nga qeveria Rama. Ndërsa nga këta demokratë, ata që kanë vuajt burgun kanë marrë 15 milionë dollarë”, – tha Ahmetaj.

Po ashtu ministri tha se “ne i trajtojmë dhe veteranët e luftës dhe të përndjekurit njësoj. Kjo mazhorancë e majtë 70 milionë dollarë, ajo e djathta u ka dhënë 15 milionë. Ne i shohim si qytetarë që meritojnë vëmendje dhe është materializuar dhe në këtë ndryshim ligjor, materializohet një vëmendje e mëtejshme duke bërë të mundur mbylljen e këstit të 9 të dëmshpërblimit për të burgosurit politikë dhe do të vazhdojmë me pagesën trashëgimtarët dhe këtu kemi hequr dhe atë kusht në raport 70 me 30. Kemi hequr për ta bërë të mundur pagesën më fleksibël ndër vite mendohet të paguhen 490 milionë dollarë për kategorinë e të përndjekurve politikë, minimalisht shkon në 500 milionë dollarë përveç atyre që janë paguar në dy forma kryesore në kesh apo avancim privatizimi që shuma vetëm për këtë kategori të fundit shkon gati 34 milionë dollarë dhe duke i mbledhur shumat mbi 220 milionë dollarë në vitet e fundit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.