Përkushtim dhe kujdes për fëmijët me aftësi të veçanta

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ – Fëmijët me aftësi të veçanta janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e institucioneve të përkujdesit social.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, shprehet se “në Qendrën e Zhvillimit në Tiranë, edukatoret ndihmojnë çdo ditë 16 fëmijë me aftësi të veçanta, të aktivizohen nëpërmjet terapive fizike dhe verbale”.

“Në 8 institucionet tona të Zhvillimit ofrohet: shërbim individual në aktivitetet ditore të fëmijëve me aftësi ndryshe; shërbime terapeutike dhe edukative për rritjen e aftësive konjitive, terapi okupacionale, logopedi, fizioterapi”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, pjesë e programit janë edhe aktivitete socializimi kreative-kulturore.

Integrimi i fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të veçanta është ndër prioritetet e qeverisë dhe konkretisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.