Liberalizimi i vizave për Kosovën, politika shqiptare përshëndet vendimin e PE

Rama: PE hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet

TIRANË, 13 shtator /ATSH – I. Vata/ – Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar si një hap që duhet përshëndetur vendimin e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën!” – shprehet Kryeministri.

Po ashtu, Kryeministri Rama thekson se “Kosova mbetet dhe për pak kohë i vetmi vend me viza për në Europë, por kjo e sotmja është një hap për t’u përshëndetur sidoqoftë”.

Meta përshëndet vendimin e PE: Urime Kosovë!

“Përshëndes vendimin e Parlamentit Europian për t’i hapur dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën!” – u shpreh Presidenti Ilir Meta.

“Mesazh i qartë i perspektivës së saj europiane! Shumë i gëzuar për këtë lajm të jashtëzakonshëm dhe arritje të madhe të popullit dhe të shtetit të Kosovës, që rritet dhe forcohet çdo ditë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon!” – u shpreh Meta.

Rekomandimi i PE-së për heqjen e vizave për Kosovën, Ruçi: Vendim i merituar

“Rekomandimi i Parlamentit Europian për heqjen e vizave për Kosovën është një vendim i merituar, rezultat i përparimeve që ka bërë shteti i ri i Kosovës drejt përmbushjes së standardeve demokratike, sidomos në sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, si edhe respektimin e të drejtave të qytetarëve, përfshirë të drejtat e pakicave. Me këtë rast, në emër të Kuvendit të Shqipërisë u shpreh urimet e mia vëllezërve kosovarë, këtyre qytetarëve europianë.

Ky hap i madh drejt lirisë së lëvizjes është një hap domethënës dhe i sigurt drejt qytetërimit Perëndimor. Urojmë që rekomandimi i Parlamentit Europian të votohet nga Këshilli Europian”, përfundon urimi i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Basha: Votimi i PE për lëvizjen pa viza, mbështetje e qartë për Kosovën

“Përshëndes votimin e Parlamentit Europian për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në BE”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Po ashtu, Basha shtoi se “ky votim i njeh qytetarëve të Kosovës një të drejtë të merituar dhe dinjitet të barabartë në rajon. Votimi i PE është mbështetje e qartë për Kosovën dhe perspektivën e saj europiane”.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.