Lezhë, kushte më të mira për fëmijët në kopshte

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ – Një kopsht parashkollor për grupmoshën 5-6 vjeç, pritet t’i shtohet këtë vit Qendrës Multidisiplinare “Malteser”, në Lezhë.

Bashkia e Lezhës bën të ditur se “kushte mjaft të mira, si dhe stafi i specializuar, do të jenë në shërbim të fëmijëve të ciklit parashkollor, nga e hëna në të shtunë, me fokus të veçantë familjet në nevojë”.

Sipas bashkisë, përveç këtij kopshti, në atë ekzistues të lagjes “Skënderbeg”, bashkia Lezhë në bashkëpunim me “Malteser”, ka ndërhyrë duke përmirësuar ndjeshëm kushtet në ambientet e brendshme.

“Po punohet gradualisht për të përmirësuar situatën në të gjitha kopshtet e çerdhet në bashkinë Lezhë, si rezultat i mosndërhyrjeve ndër vite, ku problemet më urgjente janë konstatuar në qytet”.

Në tetor, bashkia Lezhë do të fillojë rikonstruksionin e kopshtit të lagjes ”Gurra”.

Në 17 shtator, ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Lezhë nis viti i ri shkollor 2018-2019. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.