FUTBOLL – UEFA: Liga e Kampionëve zhvillohet vetëm në Europë

67

TIRANË, 13 shtator/ATSH – A. Fortuzi/ – Finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet në Europë dhe jo në Nju-Jork, apo jashtë kufirit politik të Europës.

Ky ka qenë reagimi i organit më të lartë të futbollit europian, UEFA, e cila sqaroi se lajmet se një finale e Ligës së Kampionëve mund të luhet jashtë Europe, nuk janë të vërteta. Reagimi ka ardhur pas disa lajmeve, të cilat nënvizonin se UEFA është duke negociuar për të luajtur finale e Ligës së Kampionëve në SHBA dhe në një kohë kur “La Liga” apo dhe kampionate të tjera pritet të zhvillojnë një takim të tyre jashtë Europës, nis të bëhej i besueshëm.

Para pak ditësh drejtori i “Mediapro”, Zhame Rures, i tha programit “El Matí” në “Radio Katalunja” se “zhvillimi i një finaleje të Ligës së Kampionëve në Nju-Jork është duke u negociuar”. Por, Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Seferin ka mohuar gjithçka. Përmes një deklarate zyrtare Seferin thotë se, “kjo ide nuk është duke u diskutuar fare. Për momentin UEFA nuk ka plane për të organizuar finalen e Ligës së Kampionëve jashtë Europës”, duke hedhur poshtë spekulimet se Nju-Jork do të priste finalen e edicionit të vitit 2021 të këtij kompeticioni madhor të klubeve europiane./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.