FUTBOLL – Çani i zhgënjyer nga “Partizani”: Ambient joprofesional

63

TIRANË, 13 shtator/ATSH – A. Fortuzi/ – Sulmuesi Edgar Çani nuk është kursyer ndaj “Partizanit”. I ardhur verën e 2017-ës tek të kuqtë, shtatlarti nuk arriti të shkëlqejë edhe për shkak të problemeve fizike. Rroga e lartë prej 12 mijë eurosh në muaj e kthente në shënjestrën e klubit dhe ashtu ndodhi. Ai prishi kontratën me të kuqtë dhe tashmë sulmuesi ka vazhduar karrierën te skuadra e “Viboneses” në Seria C, në Itali.

“Nuk bëra asnjë gabim te “Partizani”, thjesht gjërat nuk shkuan mirë. Unë bisedova me Moxhin para se të vija. Ai më parashtroi një projekt, por nuk u bë asgjë. Kur erdha në Shqipëri më patën premtuar se do të punoja në një ambient profesionist, në një ambient serioz ku gjërat do të funksiononin si duhet. Në fakt ndodhi e kundërta. Nuk jam ndier mirë. U binda se nuk kisha më asnjë motiv për të vazhduar te “Partizani”. Ndodhën dhe shumë gjëra që nuk duhet të ndodhin kurrë në një ambient profesionist. Marrëdhëniet me klubin. Njerëzit bënin punë që nuk i takonin dhe nuk bënin punën e tyre. Aty flisje me dikë dhe pastaj ta hidhte poshtë dikush tjetër. “Partizani” nuk ishte një klub i organizuar. Për mua nxorën probleme sikur nuk isha mirë fizikisht, por nuk është e vërtetë”, – tha Çani, gjatë një interviste për një media të shkruar.

“Kur isha duke prishur marrëveshjen me klubin e ‘demave’, pata një tjetër ofertë nga një skuadër e kampionatit shqiptar. Nuk e pranova, pasi doja të largohesha. Kjo eksperiencë nuk më ka pëlqyer nga ana profesionale, por as nga ana morale. Erdha me dëshirë e vullnet për të bërë mirë, por më ka mërzitur shumë kjo eksperiencë te “Partizani”. Humba besimin te njerëzit nuk mund të qëndroja në një vend të tillë”, – u shpreh Çani./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.