FOTO/ Qyteti i gurtë që ruan skemën urbanistike, restaurohet një tjetër banesë

TIRANË,13 shtator /ATSH/ – Në qytetin e Gjirokastrës vazhdojnë ndërhyrjet restauruese për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e banesave karakteristike të cilat kanë histori dhe vlerë për vetë qytetin por dhe për vizitorët.

Ditët e fundit punonjësit e Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër po punojnë për restaurimin e banesës ”Qendro” monument kulture i qytetit të gurtë.

Punimet resaturuese konsistojnë në rregullimin e 36 m2 çati e sprethe me gjithë elementet e tyre përbërës, trarë, mahi, petavër, travesë e bishta.

Gjirokastra, qyteti i gurtë, është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Në qytet veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet.

Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit./a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.