FOTO/ Artisti Anri Sala prezantohet në Moskë me “The Last Resort”

TIRANË,13 shtator /ATSH/ – Artisti kontemporan shqiptar, Anri Sala, do të prezantojë instalacionin akustik e skulpturor “The Last Resort” në muzeun “The Garage Museum”, në Moskë. Ekspozita është pjesë e Komisionit të gjashtë të atriumit të Muzeut.

Me “The Last Resort”, artisti u përgjigjet arkitekturës dhe akustikës së një atriumi prej 9.5 metrash: në të zhvillohet një vepër që përmban tridhjetë daulle baterish të kthyera mbrapsht. Ato mund të gjenerojnë tinguj, si përgjigje ndaj vibracioneve që burojnë nga altoparlantët brenda secilit instrument.

Një interpretim i ri i veprës “Clarinet Concerto” të Mozartit në A-dur, një prej veprave të fundit të kompozitorit, është thelbi i veprës së Salës, shkruan portali blouinartinfo.com, transmeton sot “Koha Ditore”. Qysh prej vitit 1789, ajo qe bërë krijim i rëndësishëm muzikor për Iluminizmin, që ishte periudhë kur kombet e Europës ishin duke rimenduar konstruktet e politikës dhe të shkencës.

Anri Sala, i lindur më 1974 në Tiranë, është artist që jeton në Berlin. Ekspozitat e tij solo e kanë dërguar në vende, si: “Museo Tamayo” (Mexico City, 2017), “New Museum” (New York, 2016), “Benesse Art Site Naoshima” (Teshima Island, 2016), “The Helena Rubinstein Pavilion for Contemporary Art”, “Tel Aviv Museum of Art” (Tel-Aviv, 2014), and Haus der Kunst (Münich, 2014).

Ekspozita e tij në Moskë do të jetë e hapur nga 29 shtatori deri më 27 janar të vitit 2019, në “Garage Museum of Contemporary Art”./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.