“Flamurtari” – “Skënderbeu”, kryendeshja e javës së 4-t në Kategorinë Superiore

142

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ – “Flamurtari” – “Skënderbeu” është kryendeshja e javës së 4-t në Kategorinë Superiore, pasi përplasen dy skuadra me ambicie të mëdha këtë edicion e që për momentin kryesojnë së bashku me nga 7 pikë.

Ekipe me fizionomi të njëjtë loje, e njëjta vendosje taktike në fushë dhe kontroll sa më i gjatë i topit.

E gjitha kjo nuk është rastësi, pasi Ilir Daja vjen pikërisht nga “Skënderbeu”, skuadër të cilën e shpalli kampion me këtë mënyrë loje, një stil që po e vazhdon dhe Orges Shehi.

Ky duel konsiderohet si përballja e profesorit me nxënësin, dhe është e vështirë të përcaktosh një pretendente në një sfidë që vitet e fundit ka qenë gjithmonë e nxehtë. Me ardhjen e Ilir Dajës, “Flamurtari” ka ruajtur boshtin e skuadrës së vjetshme, duke shtuar disa elementë që i shkojnë për shtat mënyrës së lojës, e cila po implementohet dalëngadalë.

E njëjta mënyrë loje, që te “Skënderbeu” aplikohet prej kohësh, me Orges Shehin që ka në dispozicion një skuadër më të re në moshë, duke i lënë më shumë liri veprimi, për të treguar dhe aftësitë individuale.

Të hënën, në Vlorë do të jenë dy skuadra identike në mënyrën e lojës, por me ndryshimin e madh që në dispozicion të Ilir Dajës është një grup më ekspert, me më shumë eksperiencë krahasuar me korçarët. Një sfidë që pasqyron idetë dhe karrierën e dy trajnerëve, që një vit më parë ishin së bashku në Korçë. Daja trajnonte Shehin për të fituar titullin kampion.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.