Fier, “Jakov Xoxa” do të nisë këtë vit edhe klasat e baletit

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Shkolla e mesme artistike “Jakov Xoxa” në Fier, këtë vit të ri shkollor do të hapë dyert jo vetëm me kushte të përmirësuara për nxënësit, pas rikonstruksionit nga bashkia, por edhe me degë të reja që do të rrisin interesimin për artin në gjithë zonën. Për të promovuar këtë shkollë dhe degën e re të baletit që do të hapet, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, midis të cilave edhe “Ballet in Air”: një aktivitet me magjinë e baletit dhe me një performancë të jashëzakonshme të trupës italiane të baletit: “ResExtensa”, me koreografe Elissa Barruchieri.

Të shumta kanë qenë aktivitetet në kuadër të promovimit të shkollës së baletit Fier, që kanë rikthyer dëshirën për artin në Fier. Duke synuar cilësi dhe profesionalizëm, shkolla e baletit Fier do të ketë në vazhdimësi një bashkëveprim dhe bashkërendim të punës me Teatrin e Puglias, që pritet të jetë e hapur për nxënësit më të mirë të kësaj shkolle.

Specializime dhe shkëmbim eksperiencash të ndërsjellta, duke e kthyer shkollën e baletit Fier në elitë profesionale për të gjithë balerinët dhe artistët e rinj. Një vatër e re artistësh dhe një shkollë nga ku do të dalin emrat që do të pushtojnë skenat shqiptare, pse jo dhe mbarëbotërore.

Fieri është i vetmi qytet pas Tiranës me një shkollë të mirëfilltë baleti. Hapja e saj, i ka dhënë një tjetër frymëmarrje jetës artistike në qytet. E parë si një burim i sigurt i artistëve dhe talenteve në këtë fushë, kjo shkollë tashmë e lidhur ngushtësisht me Teatrin e Puglias nëpërmjet marrëveshjes së firmosur dy vite më parë me bashkinë Fier, shkollën artistike “Jakov Xoxa” dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale Fier do të ketë mundësinë të bashkëpunojë edhe në ndërthurrjen e pedagogjisë dhe praktikës me këtë teatër.

Nën drejtimin e balerinës, koreografes së mirënjohur dhe pedagoges Kozeta Bakiu stafi që do të shoqërojë talentet e reja që do të frekuentojnë këtë shkollë do të jetë i specializuar dhe me eksperiencë disavjecare. Tashmë nga ana e bashkisë Fier është përfunduar rikonstruksioni dhe plotësimi me të gjitha elementët e nevojshme jo vetëm për këtë shkollë baleti, por për të gjithë shkollën artistike “Jakov Xoxa” për një fillim viti të mbarë. Kjo shkollë, pritet të tërheqë shumë artistë e talente të vegjël, jo vetëm nga Fieri, por edhe nga qytete të tjera. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.