Elbasan, Balla: Nëse zgjedh PS, ke zgjedhur të ardhmen europiane të Shqipërisë

TIRANË, 13 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Nisim sot procesin e rëndësishëm të hapjes së Partisë Socialiste me moton: “E gjithë vëmendja tek njerëzit”, shprehet Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Balla së bashku me kryetarët e bashkive të qarkut të Elbasanit, deputetë e drejtues vendorë, nisën nga Elbasani edhe procesin kombëtar të hapjes së PS për këdo që është i gatshëm të kontribuojë për Shqipërinë.

“Fillojmë sot një aksion shumë të rëndësishëm, atë të hapjes së PS, me moton: “E gjithë vëmendja tek njerëzit” dhe PS është e hapur për këdo që është i gatshëm të kontribuojë. Përsa i përket fushatës, për të cilën jemi mbledhur sot këtu, atë të hapjes së PS, unë dua t’i them çdo të riu e të reje, që kanë bërë zgjedhjen e duhur për t’ju bashkuar forcës më progresive politike të skenës politike shqiptare, e cila gjatë gjithë historisë së saj është udhëhequr nga filozofia e vetëpërsosjes së pandalshme nëpërmjet hapjes ndaj të resë”, – tha ai.

Më tej Balla shton se “jemi e vetmja parti, që edhe pse jemi më e madhja, edhe pse jemi fituese në tri përballjet e fundit elektorale, gjithmonë gjejmë vend për të ndryshuar, për të përmirësuar strukturat dhe ata që janë ftuar të kontribuojnë sot për PS, do të jenë jo vetëm pjesë e një kontributi, por sigurisht do të hyjnë në një proces përzgjedhës për listat e reja të kandidatëve për parlamentet lokalë.

Po ashtu, Balla theksoi se mungesa e një kundërshtari të mirëorganizuar për zgjedhjet lokale të vitit 2019, nuk e bën PS komode, pasi kundërshtari i vetëm politik i saj janë angazhimet e marra para qytetarëve, të cilave do t’u qëndrojë deri në fund.

“Për ne është shumë e rëndësishme që javët në vijim udhëheqjen e kësaj fushate, të vëmendjes tek njerëzit, e merr pushteti vendor. Kryetari i bashkisë, anëtarët e Këshillit, drejtuesit e bashkisë do të jenë në një tjetër proces dëgjesash, por shumë më kapilar se ai që zhvilluam gjatë “Llogaridhënies”, do të jetë në çdo fshat, në çdo bllok pallati, për të marrë shënim, apo për të ndrequr problematikat e komuniteteve”, – tha ai.

Dua të nënvizoj, tha Balla se zgjedhjet vendore të vitit 2019 janë një objektiv shumë i rëndësishëm për ne si PS. Është e vërtetë që për fat të keq, ne sot nuk kemi një kundërshtar politik të mirëorganizuar apo të mirëpërgatitur, këtu në Elbasan, apo në të gjithë Shqipërinë, por për ne socialistët, kundërshtari ynë i vetëm politik janë angazhimet tona të cilave jemi të angazhuar 100% t’u qëndrojmë besnikë.”

Për deputeten Evis Kushi nuk ka rëndësi numri i atyre që zgjedhin të jenë pjesë e PS, por motivi dhe bindja që ata mbartin me vete për t’u bërë pjesë e ndryshimit të madh.

“Ky aktivitet është shumë i bukur, por akoma më të bukur e bën qëllimi për të cilin jemi mbledhur, për të anëtarësuar të rinj e të reja, gra dhe vajza në PS. Për ne nuk ka rëndësi numri, për ne ka rëndësi arsyeja pse i bashkohen PS dhe për ne ka shumë rëndësi që ata të besojnë me zemër dhe mendje tek PS, tek ajo arsye për të cilën kanë ardhur, tek vizioni i PS”.

Kryetari i Forumit Rinor Socialist, Elio Hysko theksoi se në prag të zgjedhjeve lokale edhe Forumi Rinor është angazhuar tërësisht duke rikonceptuar modelin e tij.

“Ne jemi duke organizuar një plan të ri veprimi, i cili do të jetë i shtrirë në të gjithë territorin në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Ne kemi konceptuar një forum i cili do të jetë interaktiv, do të jetë në të gjithë territorin dhe mbi të gjitha do të jetë aty ku ka komunitet të rinjsh. Do të vendosim në vëmendje të angazhimit tonë individin. Kemi menduar se aktivistët tanë, përveç se të jenë pjesë e një ekipi, i cili ndryshon dhe lufton përditë bashkë me PS për ndryshimin, qoftë në arsim, infrastrukturë, mjedis apo ekonomi, por kemi menduar t’i rrisim këta individë edhe politikisht”, – tha Hysko. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.