Buzëqeshja e sinqertë e një vajze nga projekti “Smile Albania”

88

TIRANË, 13 shtator / ATSH / – Sezoni i turizmit veror u mbyll me një bilanc mjaft pozitiv përsa i përket numrit të turistëve që vizituan vendin tonë, por edhe të shifrave ekonomike që u rritën në ekonominë shqiptare. Një rol të rëndësishëm në këtë sukses pati dhe projekti i “Smile Albania” në pritjen, orientimin dhe menaxhimin profesional të vizitorëve të huaj, ku në radhë të parë vunë buzëqeshjen e tyre por dhe të gjithë shqiptarëve. Ja se ç’shkruan një një vajzë durrsake, pjesë e Projektit “Smile Albania”

“Unë quhem L. Hoxha dhe jam pjesë e “Smile From Albania” e qytetit të Durrësit. Besoj se flas për të gjithë smile-istat e Durrësit, kur them që ndihem me fat që isha pjesë e këtij projekti e në të njëjtën kohë pata mundësinë të jem një nga njëmijë buzëqeshjet e kësaj vere. Shpeshherë gjatë këtyre muajve kemi dëgjuar shifra marramendëse në lidhje me numrin e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë. Si qytetare e këtij vendi më janë dukur të pabesueshme dhe thjesht, pjesë e një fushate marketingu për zhvillimin e turizmit, por gjatë eksperiencës si smile-iste kam mbetur e befasuar dhe kam kuptuar e besuar se ato shifra janë të vërteta. Vetëm në qytetin e Durrësit kanë hyrë mbi 18 mijë turistë. Shqipëria është nga ato vende që të ngel në mendje, e them këtë duke u nisur nga numri i madh i turistëve që e kanë vizituar vendin tonë për të disatën herë. Duke u mbështetur tek fjalët e tyre mund të them me bindjen e plotë se vendi ynë është një mrekulli e vërtetë dhe bukuria e tij i ka lënë të befasuar me mijëra vizitorë të përvitshëm.
“Smile From Albania” ishte një eksperiencë për të mos u harruar për të gjithë pjesëmarrësit, e këtu nuk po hiperbolizoj asnjë fjalë, më besoni. Këto muaj kanë qenë të mbushur plot buzëqeshje, informacione, trajnime, miqësi të reja e nga ku u bëmë nismëtarë të idesë se të mbash pastër, nuk është detyrim, por një nevojë jetike, prandaj “Vari torbën qeses” jemi përpjekur që sadopak të ndërgjegjësojmë komunitetin ku bëjmë pjesë.
“Smile From Albania” ishte sukses i vërtetë, nuk mund të them se ishte në perfeksionin e tij, por duhet ta pranojmë se ishte një fillim i mbarë.
Tashmë jemi të informuar mbi kërkesat e turistëve në Shqipëri dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë në mënyrë vullnetare, sepse “Smile” nuk ishte vetëm një mundësi e mirë punësimi për ne, por dhe mënyra më e mirë e promovimit të vendit tonë. Për këtë arsye “SmileDurrës” vazhdon punën në mënyrë vullnetare. Bëhuni dhe ju një nga ne, injektoni buzëqeshjen tuaj në çdo cep të Shqipërisë. Ne jemi të sigurt se buzëqeshja është fillimi i gjithckaje të bukur.
Buzëqesh për veten, buzëqesh pë Shqipërinë, sepse ti je SMILE”, përfundon përshtypjen e saj emocionale një prej 1 mijë Smile-Albania. /n.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.