Basha: Vetingu i politikanëve nuk ka lidhje me reformën në drejtësi

TIRANË, 13 shtator /ATSH – I. Vata/ – Opozita parlamentare ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës së grupeve parlamentare, PD-LSI në Durrës, për të prezantuar platformën e opozitës, ku në thelb ka vetingun e politikanëve.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se na jepet mundësia të shpalosim platformën për nxjerrjen e vendit nga gjendja ku e ka futur qeveria e lidhur me krimin.

“Ky takim, vjen kur opozita finalizoi propozimin e saj për vetingun e politikanëve të korruptuar të lidhur me krimin”, – tha ai.

Basha akuzoi Kryetarin e Kuvendit që fsheh propozimin e opozitës për vetingun.

“Gramoz Ruçi nuk publikon online në faqen e Kuvendit të Shqipërisë propozimin e opozitës dhe relacionin përkatës për vetingun në politikë, duke refuzuar një detyrim ligjor, transparenca e opozitës që politikanët t’i nënshtrohen vetingut, njësoj si gjyqtarët, policët”, – tha Basha,

Po ashtu, Basha tha se “heshtja për vetingun në politikë i ka nxjerrë zbuluar lidhjet e tyre me krimin. Ndaj në emër të opozitës i jap këtë ultimatum Gramoz Ruçit: boto online propozimin e opozitës, respekto ligjin!”

Duke folur për ligjin për të përndjekurit politikë që është në axhendën e Kuvendit sot, Basha tha se hiqet dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë.

“Hiqet dëmshpërblimi për të përndjekurit politikë, ulet dyshemeja dhe vihen tavan, sepse partia që i persekutoi është kthyer në tjetër skalion, atë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dua t’u them të përndjekurve politikë se ajo që ndodh në Kuvend është një barbari e dytë për ju dhe familjet tuaja, futja e duarve të bijve të persekutorëve dhe xhahilëve në ligjin e të përndjekurve, tregon se nuk ka sens pendese për krimet që kanë kryer në diktaturë”, – tha ai.

Basha premtoi se me ardhjen në pushtet të opozitës do të zhbëjë ligjin për të përndjekurit.

“Akti i parë do të jetë anulimi i këtij ligji. Ne do ta zhbëjmë këtë dhe ju kërkojmë të bashkohemi në aksionin politik, sepse do t’i shërbeni jo vetëm dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur, por dhe dinjitetit të gjithë shqiptarëve”, – tha Basha.

Basha shpalosi platformën e opozitës, e cila përbëhet nga katër shtylla: Dekriminalizimi i plotë përmes vetingut të politikanëve të lidhur me krimin; çlirimi i drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin; zgjedhje të lira e të ndershme, demokratike, ku qytetarët të jenë ata që vendosin; një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve”.

“Katër grupe pune kanë nisur punën për hartimin e katër platformave dhe padyshim këtu një rol të veçantë ka platforma kundër PPP korruptive, koncesioneve korruptive”, tha ai.

Do të ndërpresim koncesionet korruptive tha Basha, duke vijuar se “të njëjtin fat i presin dhe koncesionet korruptive. Atë që kemi paralajmëruar për Teatrin Kombëtar, të njëjtin paralajmërim do të hetoheni nga dita e parë, do të kalonin vetingun më të rreptë”.

Basha tha se “Rama nuk e do vetingun në politikë, sepse nuk do të largojë të korruptuarit nga politika, prandaj ka lancuar një fushatë false”.

“Shqiptarët e mbështesin vetingun në politikë, por të njëjtat argumente që u përdorën për ligjin e dekriminalizimit po përdoret për vetingun në politikë. Vetingu në politikë nuk e përjashton hetimin nga drejtësia, prandaj ta hedhim poshtë mashtrimin e Ramës që ka si qëllim të pengojë këtë proces kushtetues”, – tha ai.

Basha shtoi se nuk ka negociata, bisedime me mazhorancën, deri në finalizimin e ligjit të vetingut në politikë.

“Vetingu i politikanëve nuk ka asnjë lidhje dhe ndikim negativ në reformën në drejtësi. Të gjitha veprimet e politikanëve janë të palidhura me reformën në drejtësi. Të thuash që vetingu i politikanëve pengon reformën në drejtësi, është si të thuash se vetingu i policisë, pengon reformën në drejtësi. Socialistët i tremben vetingut në politikë. Nuk ka asnjë negociatë, asnjë diskutim, asnjë ulje në bisedë me Ramën, deri sa politikanët e lidhur me krimin të largohen nga politika. Ne do të vazhdojmë betejën për të larguar politikanët e lidhur me krimin”, – tha ai.

Pasi u njoftua se Kuvendi botoi në faqen zyrtare propozimin e opozitës për Vetingun në politikë, Basha shtoi se “të nisë procedura kushtetuese, brenda 18 tetorit, do marrim vesh nëse Edi Rama do bëjë vetingun në politikë, përndryshe vetingun do ta bëjnë shqiptarët”.

Duke folur për reformën në drejtësi, Basha tha se “në të njëjtën emergjencë ndodhet dhe reforma në drejtësi”.

“Dy vjet më parë votuam një reformë në drejtësi për të pastruar drejtësinë. Dy vjet më vonë asnjë kriminel i kapur, asnjë politikan i kapur me presh në dorë. Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, ndërsa Vetingu kalon prokurorë komunistë që kanë vrarë shqiptarët. Dhe me këta elementë duhet të bëjnë KLGJ dhe KLP, këta do vendosin se kush do jetë gjykatës”, – tha Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.