Arsimi profesional, Rama: Trajnime edhe për përfituesit e ndihmës ekonomike

63

ERTV Live😊: Në shkollën profesionale Karl Gega, ku nga 700 nxënës të regjistruar vjet, sivjet janë 1300 dhe ndryshimi preket në çdo aspekt👍

Posted by Edi Rama on E enjte, 13 Shtator 2018

TIRANË, 13 shtator/ATSH – A. Fortuzi/ – Kryeministri Edi Rama ka vizituar të enjten shkollën profesionale “Karl Gega” në Tiranë, ku nga 700 nxënës të regjistruar vjet, sivjet janë 1300 dhe ndryshimi preket në çdo aspekt.

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij, nënvizoi se arsimi profesional është rruga e duhur për punësimin e të rinjve, por jo vetëm, pasi në këto institucione, sipas Ramës duhet të trajnohen edhe ata persona që janë me ndihmë ekonomike e që nuk kanë profesion.

“Nuk kemi rrugë tjetër, të fuqizojmë shkollat profesionale. Qytetarët e të rinjtë e kanë kuptuar këtë dhe kërkesat na përballin ne tashmë me nevojën për të rritur infrastrukturën, pasi të rinjtë e kanë kuptuar që kjo është rruga drejt punësimit”.

“Nuk është çështja që bëhet elektricist, hidraulik… etj, por përmes arsimimit profesional mund të nisin edhe biznesin e tyre të vogël, pjesa më e madhe e bizneseve të vogla në Gjermani drejtohen nga persona që kanë përfunduar në arsim profesional”, – tha Rama

Ai shtoi se edhe personat që janë me ndihmë ekonomike e i ka kaluar mosha e shkollës, duhet të trajnohen nga këto institucione. “Pastaj është domosdoshmëria për të trajnuar personat që janë jashtë shkolle, por që kanë ngelur me ndihmë ekonomike, ose dhe pa ndihmë e nuk dinë të bëjnë gjë. Marrja e një profesioni i fut në tregun e punës”, – tha Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.