Vlorë – Landfilli në Sherishtë i jep zgjidhje problemit të menaxhimit të mbetjeve

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ – Në afërsi të fshatit Sherishtë, njësia administrative Kaninë, Vlorë, pritet të ndërtohet një landfill i ri për menaxhimin e mbetjeve të bashkive Sarandë, Delvinë, Finiq, Himarë dhe Konispol.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot në Vlorë, ku ishin të pranishëm kryetarët e këtyre bashkive, si dhe përfaqësues të Bankës Gjermane KFW, u prezantua programi i integruar i menaxhimit të mbetjeve të ngurta.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një prononcim për mediet tha se “ky landfill do të përmirësojë ndjeshëm situatën. Në kuadër të bashkëpunimit gjerman me Republikën e Shqipërisë, në mbështetje të veçantë të KFW-së, pas akordeve të rëndësishme që ka bërë qeveria shqiptare me atë gjermane, ne jemi duke punuar ngushtësisht me të gjithë përfaqësuesit e bankës dhe me të gjithë faktorët e tjerë, me bashkinë e Vlorës, të bashkisë së Selenicës për atë që është nga projektet më të rëndësishme për komunitetin, për banorët e Vlorës dhe mbi të gjitha atë që ne e konsiderojmë prioritetin më të rëndësishëm të këtij territori, turizmin. Pikërisht për qendrën e menaxhimit të integruar të mbetjeve ose landfillin e Sherishtës, që ne kemi prezantuar shumë herë para qytetarëve në shumë takime”.

Kreu i bashkisë Vlorë tha se “sot në këtë workshop do të koordinojmë punën për të zgjedhur se cilat do të jenë njësitë menaxhuese të këtij projekti të rëndësishëm”.

“Ky takim i sotshëm është pararendur nga një takim i zhvilluar dje në zyrën time në bashkinë e Vlorës, ku kam shprehur vullnetin tim, që ky projekt i rëndësishëm për qytetarët e Vlorës të fillojë sa më shpejt dhe u kam dhënë hapësirën e nevojshme specialistëve gjermanë, që të jenë ata propozuesit dhe përzgjedhësit e mënyrës së menaxhimit të qendrës së trajtimit të mbetjeve në landfillin e Sherishtës”, – tha Leli.

Leli theksoi se “projekti i menaxhimit të integruar në të gjithë Shqipërinë është një projekt për gjithë territorin e vendit. Nuk është një projekt që ka filluar sot, as dje, por ka vite të tëra që punohet dhe specialistët e huaj kanë qenë ata që kanë zgjedhur, se cila do të jetë pika e menaxhimit të mbetjeve në territorin e Vlorës”.

Sipas tij, ka studime disavjeçare që kanë përcaktuar si landifllin e Bajkaj në Sarandë, landfillin e Sherishtës dhe atë në Korçë dhe në gjithë territorin e Shqipërisë.

“Janë bërë studime të hollësishme, takime me banorë, jemi në fazën e përshpejtimit të procedurës për qytetarët e Vlorës, që të largohet gangrena që është vendosur në zonën e Çoles”, – përfundoi Leli. /k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.